Skënderbeu “likuidon” Laçin, e mund 3-0

Sporti

Skënderbeu “likuidon” Laçin, e mund 3-0

Më: 5 tetor 2015 Në ora: 23:34

Skënderbeu bën të qartë se cili komandon. Kampionët i rimarrin Partizanit kryesimin pas fitores në derbi falë suksesit 0-3 në transfertën me Lacin që mbylli javën e 6-të të Superiores. Dygolësh i Hamdi Salihit dhe Skënderbeu udhëheq kampionatin me pikë të plota si kurrë më parë në historinë e skuadrës korcare.

Takim i kompromentuar që në minutën e 18-të për Lacin, me Arjan Shetën që u detyrua të përdorte mënyrat e ndaluara në zonë ndaj Olyainkës që i kishte shpëtuar markimit. Penallti për Skënderbeun dhe i kuq për mbrojtësin e Lacit për ndëhyrjen ndaj lojtarit të fundit që shkon drejt portës. Hamdi Salihi nga pika e bardhë lë në vend Vujadinovic. 1-0 Skënderbeu në avantazh dhe superioritet numerik. Skuadra e Josës vijon të luajë përpara, Bernard Berisha është thjesht i jashtëzakonshëm, duhet ta shikosh për t’u bindur se cfarë është i aftë të bëjë në sprintin e tij në të djathtë edhe pas një ndeshje impenjative si ajo me Lokomotivën në mesjavë. Laci tenton të risjellë ekuilibrin por Shehi nuk e lë veten të surprizohet nga James në minutën e 40, menjëherë më pas kurbinasit kërkojnë një 11 metërsh duke pretenduar për prekje të topit me dorë në zonë, por Kridens Meta bën shenjë që loja të vazhdojë. Rasti i artë për Skënderbeun në minutën e fundit të pjesës së parë, Olyainka prezantohet i vetëm përballë Vujadinovic por sulmuesi nigerian gabon në mënyrë të bujshme duke goditur keq. Megjithatë Skënderbeu e gjen golin e dyfishimit sapo fillon fraksioni i dytë. Është Lilaj që hyn në zonë nga e djathta dhe ndëshkon portierin e Lacit.

2-0 për Skënderbeun por Laci ka rastin të rihapë lojën në minutën e 56. Një gabim i Arapit detyron Orges Shehin të ndërhyjë në mënyrë të parregullt ndaj Metos. Penallti për skuadrën e Cungut dhe karton i kuq për Shehin, barazohen forcat në fushë por nga pika e bardhë James shpërdoron në mënyrë të pabesueshme përballë Llapanjit që zëvendëson Prognin duke shpërdoruar një rast të artë. Ndeshja vijon intensive dhe me raste nga të dyja kampet në të 69-tën Hamdi Salihi godet fluturimthi pa u kordinuar si duhet në një krosim të gjatë, por shkodrani gjithsesi e gjen golin e dytë personal në të 84-tën, kur Berisha bën një tjetër nga inkursionet e tij në të majtë Vujadinovic arrin të kthejë tentativën e parë të Salihit që këmbëngul sërish për të gjetur golin e 3-0. Në minutat e fundit ndihet lodhja në këmbët e Lacit dhe Skënderbeu kërkon të thellojë por rezultati nuk ndryshon dhe kampionët marrin me vete një tjetër fitore të çmuar, të 6 radhazi në kampionat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat