Flamurtari shkatërron 7-0 Tërbunin, shënojnë të gjithë

Sporti

Flamurtari shkatërron 7-0 Tërbunin, shënojnë të gjithë

Më: 4 tetor 2015 Në ora: 20:57

Flamurtari e kthen në goleadë. Shtatë gola në sfidën e javës së gjashtë të Kategorisë Superiore përballë Tërbunit. Një spektakël që fatkeqësisht nuk u shijua nga tifozët vlonjatë, sepse prej fushës së stadiumit që ende nuk është marrë në dorëzim, Flamurtari e zhvilloi ndeshjen si pritës në “Adush Muça” të Ballshit.

Përballë Tërbunit, lojtarët kuqezi shënuan thuajse të gjithë. Shtatë gola që mbajnë po kaq autorë të ndryshëm. Nga rrjeta e minutës së 3-të, me autor Grecën. Mesfushori përfitoi nga gafa e pafalshme e portierit të Tërbunit, Ujka, që në debutimin në elitë i dhuroi rivalëve golin e avantazhit.

Dominimi absolut i vlonjatëve sjell edhe golin e dytë, me autor Nexhipin. Në të 27-ën, fantazisti realizoi golin e parë me fanellën e Flamurtarit, pas një goditje potente me të majtën. Me kundërshtarët plotësisht të dorëzuar në fushë, skuadra e Levit nuk u kursye në fraksionin e dytë të lojës. Hair Zeqiri, i pashqetësuar në zonën pukjane, realizoi golin e tretë menjëherë pas pushimit ndërmjet pjesëve. Në të 54-ën erdhi edhe goli i katërt, me autor Tsakadadze, që e dërgoi topin në rrjetë pas aksionit individual të Morinës, i cili mposhti mbrojtësit rivalë. Minuta e 66-të, solli supergolin e Bruno Telushit, me një goditje të shkëlqyer nga distanca, që përfundoi në rrjetë.

Pas çaste pas tij ishte radha e Morinës të shënonte emrin në listën e golashënuesve, duke realizuar golin e gjashtë, e megjithatë vlonjatët nuk e hoqën këmbën nga gazi. Në të 84-tën ishte radha e Fushtar të shënonte, duke vulosur shifrat finale në 7-0. Fitorja më e thellë e regjistruar në këtë sezon. Në vitet e fundit Flamurtari kishte bërë më mirë vetëm në sezonin 2010-2011, me suksesin 8-0 ndaj Elbasanit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat