Teuta likuidon Bylisin dhe “pret kokën” e Canaj

Sporti

Teuta likuidon Bylisin dhe “pret kokën” e Canaj

Më: 4 tetor 2015 Në ora: 20:57

Teuta është thjesht fantastike në “Niko Dovana”. Formacioni i Gugash Maganit mori fitoren e tretë në po kaq ndeshje në impiantin durrsak në këto gjashtë javë të para të Kategorisë Superiores. “Viktima” e radhës në shtëpinë e “Djemve të Detit” ishte Bylisi, që pësoi humbjen e radhës në transfertë dhe të pestën në kampionat me rezultatin e thellë 3-0. Kjo disfate ishte e papranueshme per trajnerin Agim Canaj i cili dha doreheqjen e parevokueshme nga stoli.

Takimi nisi vrullshëm për Teutën, që rrezikoi me Hilën në minutën e katërt, mirëpo goditja e mesfushorit elbasanas ishte e pasaktë. Dy minuta më pas 22-vjecari korrigjoi shënjestër me një parabël, duke e lënë të shtangur portierin Mushica.

Vetëm pas caste më pas Teuta arriti ta conte sërish topin në rrjetë, por për gjyqtarin, kishte ndërhyrje të parregullt në momentin e fundit në dëm të Peposhit. Dominimi i Teutës u shpërblye me një tjetër gol në minutën e 24-t, me autor Mustën, i cili shfrytëzoi një pasim të saktë të Hilës brenda zonës. 10 minuta në vonë pas një aksioni nga e majta, Dita e pati të thjeshtë shumë pranë zonës së portierit për të shënuar golin e tretë. I pakënaqur nga skuadra e tij në fazën mbrojtëse, Canaj bëri dy ndërrime në fund të pjesës së parë, duke nxjerrë nga loja Shoshin dhe Adekulen.

Pjesa e dytë nisi një tjetër rast për Teutën me protagonsit Hysenin, i cili devijoi me majën e këpucës, por topi përfundoi jashtë. Rasti i parë në këtë sfidë për Bylisin u regjistrua në të 55-ën, por Orges Gava nuk arriti të koordinohej në goditje. Në minutat në vazhdim Teuta e uli ndjeshëm ritmin, duke u kushtuar më shumë vëmendje fazës mbrojtëse, e shtyrë edhe nga avantazhi i trefishtë. Gjithsesi, në të 69-tën Bylisi fitoi një 11-metërsh për prekje të topit me dorë të Ditës. Nga pika e bardhë goditi i një ish-i Teutës, Brunild Pepa, të cilit Mocka i kuptoi krahun.

Në të 83-ën Musta humbi mundësinë për ta cuar në 4-0 sfidën, për të ardhur më pas te vërshëllima e fundit e gjyqtarit Kola, që sanksionoi fitoren e thellë të skuadrës durrsake. Ndërsa Bylisi me këtë disfatë konfirmohet bashkë me Vllazninë dhe Tërbunin kandidat për të rënë nga kategoria.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat