Canaj për dorëheqjen: Ekipi më tradhtoi

Sporti

Canaj për dorëheqjen: Ekipi më tradhtoi

Më: 4 tetor 2015 Në ora: 20:54

Agim Canaj nuk është më trajneri i Bylisit. 53-vjecari dha dorëheqjen e parevokueshme nga drejtimi i skuadrës ballshiote pas humbjes 3-0 ndaj Teutës në Niko Dovana. Sipas Canajt kjo disfatë ndërlikon shumë pozitat e Bylisit në klasifikim dhe për të është e pamundur të vazhdojë të jetë në krye të një skuadre që në 25 minutat e para të sfidës ndaj durrsakëve nuk zbatoi asnjë nga udhëzimet e tij.

“Sot ishte si një ndeshje finale për ne, e kishim përgatitur këtë sfidë por edhe unë që isha në pankinë nuk po u besoja syve. Në 25 minutat e para skuadra nuk bëri asgjë në fushë, gaboi në gjithcka dhe pësuam 3 gola. Më pas nuk kishim moralin e duhur për të reaguar. Objektivat tonë janë kompromentuar shumë pas kësaj humbjeje dhe unë jap dorëheqjen. I uroj suksese skuadrës së Bylisit në ndeshjet e ardhshme po ashtu edhe trajnerit të ri që do të marrë drejtimin e ekipit”.

Trajneri 53-vjecar theksoi se ndihet i tradhëtuar nga skuadra. Dorëheqjha e trajnerit është e parevokueshme kjo për vetë faktin pasi Canaj e shikon si të pamundur që Bylis mund të përmirësohet me të në drejtim.

“Normalisht unë e thashë edhe njëherë, kur erdha kishim një objektiv madhor shpresonim që gjërat do të shkonin mirë, por këtu gjeta një skuadër të dorëzuar, e pranova këtë sfidë pasi mendoja se mund të bëja dicka por kjo ishte pamundur këtu. 1 pikë në 6 ndeshje është shumë pak për ne dhe për objektivat tanë. Ndihem i tradhëtuar nga skuadra. Ky është vendimi im përfundimtar dhe nuk do ta ndryshoj”.

Në krahun tjetër trajneri i Teutës Gugash Magani u shfaq pjesërisht i kënaqur pas suksesit 3-0 të skuadrës së tij që ishte i 4-ti për durrsakët në kampionat.

“Loja është 90 minuta. Unë mendoj se kemi bërë shumë mirë në pjesën e parë. Edhe ky rezultat 3-0 ka anët e mira dhe anët e këqija. Anët pozitive janë që skuadra merr pikët dhe fiton besim ndërsa ato negative janë se skuadra fle dhe vetëkënqet në disa momente, duke vënë në rrezik dhe fitoren. Shpresoj që ti përmirsojmë këto gjëra gjatë ndeshjeve në vazhdim”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat