Serbia grumbullon një 'shqiptar'!

Sporti

Serbia grumbullon një 'shqiptar'!

Më: 4 tetor 2015 Në ora: 14:28

Serbia ka vendosur të përballet me përfaqësuesen e Gianni De Biasit duke grumbulluar edhe një lojtar me origjinë shqiptare. Bëhet fjalë për Miralem Sulejmanin, i cili është rikthyer në skuadër. Trajneri Radovan Curçiq publikoi listën me 24 futbollistët e grumbulluar për sfidën e 8 Tetorit në Elbasan Arena, por edhe për ndeshjen e fundit ndaj Portugalisë.

26-vjeçari Sulejmani, karriera e të cilit ka pësuar rënie të dukshme nga Ajax e Benfica për të luajtur te Young Boys është kthyer në skuadër prej mungesave të shumta të serbëve. Për shkak të dëmtimeve trajneri Curcic është detyruar të ndryshojë disa herë listën. Ai nuk do të ketë në dispozicion katër futbollistë, mbrojtësin e Schalkes, Nastashiq dhe atë të Torinos, Maksimoviq, mesfushorin e Stuttgartit, Kostiq dhe ish-yllin e Liverpool, tashmë lojtar të Fenerbahçes, Markoviq.

Një tjetër problem për serbët është edhe dëmtimi i yllit të Chelsea-s, Nemanja Matiq, i cili është në dyshim. Në grumbullimin e skuadrës të hënën, stafi mjekësor do të shprehet nëse mesfushori është në gjendje të luajë. Për shkak të mungesave në skuadër janë grumbulluar dy debutues, Milinkoviq dhe Saviq, që kanë luajtur me ekipin U-21.

Përsa i takon ndeshjes, Curçiq u shpreh se “ekipi serb do të japë maksimumin për tu përfaqësuar sa më mirë në dy sfidat e fundit kualifikuese”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat