Titozët tentojnë të manipulojnë biletat, serbët i ruajnë 350 policë

Sporti

Titozët tentojnë të manipulojnë biletat, serbët i ruajnë 350 policë

Më: 4 tetor 2015 Në ora: 08:03

Dyshimet e ditëve të fundit për bileta të manipuluara kanë bërë që Policia e Shtetit të vihet menjëherë në lëvizje, duke marrë masa për t’i kapur në kohë tentativat e tifozëve që kërkojnë të ndryshojnë emrat. Dje, në institucionin e futbollit shqiptar, një grup ekspertësh të Policisë së Shtetit, të kryesuar nga nëndrejtori i Përgjithshëm, Altin Qato, kanë zhvilluar një takim me sekretarin e FSHF-së, Ilir Shulku.

Sipas njoftimit zyrtar nga federata, në këtë takim të radhës është diskutuar për detaje të sigurisë në stadium, probleme të shoqërimit të skuadrave, të pikave të kontrollit dhe detaje të tjera, për të cilat po përgatitet një plan i gjerë masash. FSHF-ja ka vënë në dispozicion të policisë edhe listën e plotë të tifozëve që janë pajisur me biletë deri në këto momente.

Policia e Shtetit ka bërë me dije se ka pasur informacione për tentativa të individëve të veçantë, për të ndërruar emrat në bileta, ndërsa ka paralajmëruar se nuk do të lejojë asnjë person që nuk është i regjistruar në listën fillestare.

Serbët

Zbardhet axhenda e Serbisë për ndeshjen e 8 tetorit në “Elbasan Arena”. Mediat serbe, duke iu referuar federatës së këtij vendi, raportonin dje se ekipi do të mbërrijë në Shqipëri pasditen e së mërkurës.

Udhëtimi nga Beogradi i delegacionit serb, i përbërë nga futbollistët, stafi teknik, zyrtarët e federatës dhe gazetarët, do të jetë në aeroportin e Rinasit rreth orës 18:00 të 7 tetorit. Autostrada që lidh aeroportin me kryeqytetin do të jetë e gjitha e bllokuar, teksa autobusët që do të transportojnë serbët do të shoqërohen me eskortë deri në hotelin “Sheraton”, ku do të bëhet akomodimi.

Duke iu druajtur ndonjë incidenti të mundshëm, ekipi serb zgjodhi të mos stërvitet 24 orë para ndeshjes në Tiranë apo Elbasan. Serbët do ta kalojnë natën në Tiranë dhe në ditën e ndeshjes, pas drekës në “Sheraton”, do të nisen drejt Elbasanit vetëm tri orë para takimit.

Udhëtimi

Udhëtimi nga Tirana drejt Elbasanit cilësohet nga serbët pjesa më e rrezikshme e qëndrimit në Shqipëri. Zv.presidenti i Federatës Serbe, Goran Milanoviç, bëri të ditur se skuadra do të udhëtojë e shoqëruar nga 350 policë.

Forcat e rendit do të blindojnë rrugën, por shqetësimi i serbëve lidhet me disa segmente. “Jam i shqetësuar për sigurinë e ekipit tonë. Tensioni për ndeshjen në Elbasan është i madh dhe shqiptarët kanë mundësi të shprehin urrejtjen ndaj serbëve. Pjesa më delikate është rruga drejt stadiumit, ku ne mund të sulmohemi në disa zona rurale”, deklaroi dje Milanoviç.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat