Serbia “asist” Shqipërisë, Franca kalon Portugalinë

Sporti

Serbia “asist” Shqipërisë, Franca kalon Portugalinë

Më: 5 shtator 2015 Në ora: 00:11

Serbia i bën një dhuratë të çmuar Shqipërinë pas një suksesi të pastër që arriti me rezultatin 2-0 kundër Armenisë. Takimi i zhvilluar nuk pati histori dhe ndoshta si asnjëherë tjetër, një fitore e Serbisë nuk tingëllon më ëmbël për të gjithë shqiptarët që sigurojnë minimalisht vendin e tretë në Grupin I. Në një stadium të boshatisur për shkak të vendimit të marrë nga UEFA për shkak të ngjarjeve në ndeshjen me Shqipërinë, Serbia dominoi 90 minutëshin që nga minuta e parë dhe e gjeti golin e avantazhit në minutën e 22 me një top të shtyrë në portën e tij nga Levon Hayrapetyan.

Skuadra e Curcic nuk u mjaftua vetëm me një gol dhe për të siguruar fitoren e parë në grup shtoi edhe më shumë presionin në gjysmëfushën kundërshtare, duke realizuar edhe golin e dytë me autor sulmuesin e Interit, Adem Ljajic, i cili vulosi suksesin që e ngjit Serbinë në vendin e katërt me 1 pikë në klasifikim po aq sa Armenia. Ndërkohë, në takimin miqësor të grupit, Portugalia nuk arriti të thyente mallkimin 40-vjeçar pasi gjatë 4 dekadave të fundit, luzitanët nuk kanë arritur të triumfojnë asnjëherë ndaj Gjelave. Ishte një gol i shënuar nga Valbuena 5 minuta nga fundi që i dhuroi suksesin skuadrës së Dechamps. Portugalia që është edhe kundërshtarja e kuqezinjve në ndeshjen e së Hënës në “Elbasan Arena” nuk arriti të dilte në lojën e saj edhe pse kishte hedhur në fushë një formacion me titullarë të udhëhequr nga Cristiano Ronaldo.

Ekipi i Fernando Santos u adresua drejt portës franceze me disa aksione në fillimin e ndeshjes, por pjesa e dytë tregoi një tjetër fytyrë dhe Franca mori frenat duke e dominuar kundërshtarin që u tërhoq për të mos konsumuar energji të tepërta në prag të një sfide delikate si ajo e Elbasanit. Në këtë mënyrë, Portugalia nuk arriti të reagonte ndaj golit të pësuar duke e mbyllur këtë ndeshje me një disfatë që nuk ndihmon në moralin e djemve të Santos që humbasin një miqësore luksi me skuadrën e vendit organizator të Euro 2016.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat