Shqipëria e pathyeshme, Danimarka tronditet

Sporti

Shqipëria e pathyeshme, Danimarka tronditet

Nga: Kemajl Goca Më: 4 shtator 2015 Në ora: 20:47

Shqipëria e fuqishme, nxori pikë të madhe në Kopenhagë ndaj Danimarkës. Shqipëria luajti pa gola (0:0) me Danimarkën, në stadiumin "Telia Parken", në ndeshjen e xhiros së gjashtë të grupit I të eliminatorëve për Euro 2016 në futboll. Shqipëria pati rast ta fitoi sfidën, sikur Odise Roshi në minutën e 90+2 të ishte më i shkathët kur doli i vetëm me portierin danez.

Shqipëria importoi një pikë të madhe që nuk matet as me ari dhe mban vendin e tretë me 11 pikë sa ka edhe Danimarka në pozitën e dytë, ndërsa Portugalia kryeson me 12 pikë. Shqipëria ka një ndeshje me pak se danezët dhe ka gjasa shumë të mëdha që ta realizojë endrrën - biletën për në Francë. Shqipëria u tregua e pathyeshme, e cila nga pesë ndeshje ka tri fitore e dy barazime, ndërsa Danimarka tronditet dhe rrezikon që të humb edhe vendin e dytë.

Shqipëria ishte e shkëlqyeshme, tërë fuqi, taktikë dhe ekipi që dëshmoi se nuk e kishte mundur rastësisht Francën. Pjesa e parë e lojës ka qenë mjaft e mirë, ku kombëtarja e Shqipërisë luajti me shumë siguri dhe herë pas herë ka qenë e rrezikshme për portën daneze. Mirëpo, në pjesën e dytë danezët zotëruan lojën dhe patën një mori raste, por portieri Etrit Berisha ka qenë në nivelin e detyrës sidomos në minutën e 56-të kur shpëtoi edhe gol të sigurt. Në minutën e 23-të, Shqipëria fut në presion Danimarkën. Sulmuesi Sokol Cikalleshi me vetëmohim të pashoq me kokë nga rreth 10-11 metra gjuajti bukur, por portieri vendas mezi e dëboi në korrne.

Shkëlzen Gashi nga rreth 20 metra u mundua t'i befasojë danezët, por gjuajtja e tij shkojë mbi portë pikërisht në minutën e 24-të. Mesfushori Ermir Lenjani, futbollist i palodhshëm, ishte i pafat, pasi gjuajtja e tij shkoi jashtë portës, pas një veprimit për mrekulli të thurur nga kombëtarja kuqezi (28').

Mijëra tifozë shqiptarë ishin në stadium, ku me brohoritjet e tyre i dhanë zemër futbollistëve kuqezinj.

Në fakt, sipas informatave nga atje, në tribunën ballore nuk janë lejuar shumë tifozë shqiptarë për shkak se kanë pasur bileta me emra të tjerë. Ata janë verifikuar pasi kanë pasur bluza dhe shall me ngjyrat kuq e zi në stadium. Në minutën e 37-të, Berat Xhimshiti në mënyrë akrobatike ka goditur nga rreth 15-16 metra, por shkoi jashtë portës. Xhimshiti debutoi në fanellën kuqezi dhe po tregon lojë shumë të mirë.

Riza Durmishi, shqiptar, luajti titullar për Danimarkën, bëri lojë të mirë. Pjesa e dytë ka qenë më ndryshe, kur Danimarka merr zotërimin e lojës dhe krijon raste të shumta. Në minutën e 56-të, portieri Etrit Berisha, trim i vërtet, shpëtoi gol të sigurt. Jorgensen nga 8-9 metra gjuajti me kokë, por Berisha ka reaguar shkëlqyeshëm dhe shpëtoi portën e tij.

Lorik Cana në minutën e 70-të, dëshmoi cilësitë e tija, duke ia hequr topin mu nga këmbët Bendnerit që lehtë ka mundur të shënoi kur ishte brenda 16-shit.

Në minutën e 85-të, ka pasur fërkime në fushë mes futbollistëve, ku u ndëshkuan me karton të verdhë Kjaaer dhe Taulant Xhaka.

Në minutën e 90+2, Odise Roshi huqi një rast të qindpërqind kur doli përball portierit danez, por ky e fundit e mbrojti me sukses. Shqpëria nxori një pikë të madhe, ndërsa tani do të luajë të hënën (me 7 shtator) kundër Portugalisë. Kjo sfidë luhet në stadiumin "Arena Elbasan" në orën 20.45, e cila do të jetë një ndeshje e vështirë për kuqezinjtë.

Gjermania fitoi! Sadiku asistoi

Kombëtarja e Gjermanisë ashtu edhe siç pritej arkëtoi tri pikë në ballafaqim me Poloninë. Gjermanët në konak të tyre shënuan fitore me rezultat 3:1 ndaj Polonisë, në ndeshjen e xhiros së shtatë të grupit D. Gjermanët marrin kryesimin në grup me 16 pikë, duke e lënë pas Poloninë që ka vetëm 14 sosh. Gjermanët në 45 minutat e parë shënuan dy gola të shpejt. Thomas Muller në minutën e 12-të shënoi për 1:0, por pas shtatë minuta Mario Gotze ngriti epërsinë në 2:0. Roberto Lewandowski, sulmues i Bayernit, mjaft i rrezikshëm ngushtoi humbjen në 2:1 në minutën e 37-të kur mposhti portieri gjerman, Manuel Neuer. Mario Gotze ishte në disponim dhe realizoi për fitoren bindëse 3:1 pikërisht në minutën e 82-të, duke ia shuar të gjitha shpresat polakëve.
Për Finlandën luajtën dy shqiptarë, Përparim Hetemaj titullar dhe Berat Sadiku u aktivizua nga minuta e 46-të. Finlanda si mysafir shënoi fitore me rezultat 1:0 ndaj Greqisë. Berat Sadiku ka asistuar në golin e fitores kur shënoi Pohjanpalo (75'). Finlanda është në vend të katërt me 7 pikë, kurse Greqia e fundit me 2 pikë në grupin F.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat