Sot është dita e kuqezinjve!

Sporti

Sot është dita e kuqezinjve!

Më: 4 shtator 2015 Në ora: 11:26

E mbani mend 4 shtatorin e 2004-s? Si sot, 11 vite më parë, Shqipëria e bëri “det kuqezi” pas fitores me Greqinë. Mundi kampionët e Europës dhe nisi një fluturim ëndrrash të atyre eliminatoreve.

Por, gjithçka përfundoi shpejt. Më pas, u mundëm, u rrëzuam, dështuam dhe përfunduam në fund, si gjithmonë. Sot, gjërat janë ndryshe. Sfida e Kopenhagenit ndaj Danimarkës mund të jetë fluturimi final drejt Europianit “Francë 2016″. Një start perfekt dhe, kur jemi në gjysmë të rrugëtimit, kemi bërë një edicion të shkëlqyer. Vendi i tretë në renditje me pikë të barabarta me Danimarkën dhe shumë afër kualifikimit direkt në një kompeticion të rëndësishëm ndërkombëtar. Do të ishte HISTORIKE!

Përballë janë danezët, një përfaqësuese me shumë histori, lojtarë cilësorë dhe, për më tepër, luan në fushën e vet. Por, edhe presioni është mbi ata që kërkojnë me çdo kusht fitoren. Shqipëria regjistron tri fitore e një barazim dhe ka shanse reale për të bërë realitet ëndrrën e një kombi që numëron mbi 10 milionë në të gjithë botën. Dëmtimet janë ato që e shqetësojnë De Biazin, por tekniku ka ditur të zgjidhë të gjithë situatat e deritanishme dhe besimi është i madh. Ashtu si në tetorin e kaluar, kur Ermir Lenjani bëri “fluturimin” spektakolar pas golit ndaj Danimarkës, kuqezinjtë kanë mundësinë të hedhin një hap të rëndë- sishëm në të gjithë historinë e futbollit shqiptar. Deri tani ka qenë një ngjitje e bukur e shijuar nga të gjithë. Tashmë kërkohet vazhdimësia. E sotmja është një sfidë shumë e rëndësishme, pasi mund të përcaktojë shumë.

Sigurisht, një fitore, apo qoftë edhe një barazim me Danimarkën, mund të rezultojë hap vendimtar për të prerë biletën që edhe flamuri kuqezi të ngrihet në Paris vitin e ardhshëm. Me një ndeshje më shumë se të gjithë rivalët e tjerë të grupit, Shqipëria duhet të vazhdojë ngjitjen, ashtu si deri tani. Pas dy ndeshjeve shumë të rëndë- sishme të këtyre ditëve, në tetor kuqezinjtë luajnë ndaj Serbisë dhe Armenisë, me të parën që është zyrtarisht jashtë gare dhe të dytën praktikisht pa asnjë synim.

Nga ana tjetër, Danimarka ka një ndeshje më pak dhe pas Shqipërisë përballet me Portugalinë dhe Armeninë. Sot Shqipëria ka me mijëra tifozë në stadium në mbështetje të saj, ka një grup ku trajneri ka luksin të zgjedhë dhe ka besim se ëndrrat do të realizohen një ditë edhe për shqiptarët. Sot është dita e kuqezinjve. Duhet një sforco që pozitat të konsolidohen dhe bindja të gozhdohet. Ky duhet të jetë sezoni që “avioni” kuqezi të mos rrëzohet, por të bëjë një ulje dinjitoze në pistën e aeroportit të Parisit. Është dita e drithërimave të pafundme, është dita e fluturimit final…

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat