Statistikat e Shqipërisë me Danimarkën

Sporti

Statistikat e Shqipërisë me Danimarkën

Më: 4 shtator 2015 Në ora: 10:45

Sonte, në orën 20:45, në “Telia Parken” të Danimarkës, do të startojë ndeshja kualifikuese për “Euro 2016”, Danimarkë-Shqipëri. Po ndalemi në shifra e fakte historike, por jo vetëm, që u përkasin ballafaqimeve mes dy kombëtareve në fjalë, teksa kuptojmë supremacinë e nordikëve.

Madje, na duhet të kthehemi 52 vite pas në kohë, në vitin 1963, për të gjetur fitoren e parë e të vetme të kuqezinjve tanë, falë golit të “mbretit” Panajot Pano. Për momentin ndajmë vendin e dytë dhe të tretë në Grupin I, me nga 10 pikë, por kuqezinjtë tanë kanë një ndeshje më pak të luajtur, raporton telesport.


Më 30 tetor 1963, luanim dhe fitonim brenda në Kopenhagë, me të njëjtin synim shkojmë edhe kësaj here, pas më shumë se gjysmëshekulli, me shpresën se do ta prishim “syrin e keq” dhe së andejmi të hedhim një hap tjetër të madh drejt finaleve të “Euro 2016”. Nëse ndaj Danimarkës kemi fituar 1 herë, në finalet e një kompeticioni madhor për kombëtaret, kampionat Europian, apo Kampionat Botëror, s’e kemi bërë akoma “sefte” si komb.

Le të futemi paksa në historinë e përballjeve të këtyre dy kombëtareve. Goli i Lasse Vibe vlejti një pikë për Danimarkën, kur u takua për herë të fundit me Shqipërinë, tetorin e vitit të kaluar, ndërkohë që tashmë luan si ekip vendas dhe ka përpara një mision: të fitojë tri pikë ndaj rivalëve të vet në Grupin I kualifikues. Danezët do të takohen për herë të dytë në fushatën kualifikuese të “Euro 2016” me shqiptarët. Lasse Vibe barazoi në fund dhe i dha një pikë Danimarkës në ballafaqimin e parë, pasi Ermir Lenjani e kishte kaluar në avantazh Shqipërinë në pjesën e parë. Kjo sfidë është luajtur në tetor 2014.

Në nëntë takimet e larta ndërkombëtare me Shqipërinë, rekordet e Danimarkës janë këto: 6 fitore, 2 barazime dhe 1 humbje. Panajot Pano shënoi golin e vetëm, kur Shqipëria regjistroi fitoren e saj të vetme kundër Danimarkës, në kualifikueset e “European Championship”, më 30 tetor 1963. Danimarka ka një lojtar që rrezikon pezullimin, pikërisht mesfushorin William Kvist, i cili është një karton të verdhë larg nga një ndeshje “në bokse”. Para humbjes së 14 tetorit, 1-0 në Portugali, Danimarka kishte fituar shtatë ndeshjet e mëparshme kualifikuese në “European Championship”, në shtëpi. Humbja e tyre e mëhershme ishte 3-1, në Spanjë, më 13 tetor 2007, gjatë kualifikueseve të “Euro 2008”.


Shqipëria mbetet e pamposhtur pas pesë ndeshjesh kualifikuese në Grupi I, duke përfshirë edhe rezultatin 3:0 në tavolinë, që iu dha nga KAS-i i Lozanës. Klubet daneze kanë pasur një bilanc shumë më të mirë në ballafaqimet europiane me homologët shqiptarë. Konkretisht, kanë 6 fitore, 2 barazime dhe asnjë humbje. Shqipëria do të tentojë të marrë fitoren e parë kundër Danimarkës pas më shumë se 50 vjetësh, që nga koha e Panajot Panos, “mbretit” të futbollit të këtij vendi të vogël ballkanik.

Në tetë takimet ndërkombëtare me Danimarkën, rekordet e Shqipërisë janë negative: 1 fitore, 2 barazime dhe 6 humbje. Përplasja e parë për një Kampionat Europian mes këtyre dy kombëtareve ndodhi në raundin e parë të kompeticionit, në vitin 1963. Dhe ne fituam me rezultatin 1:0, shënuar nga Panajot Pano në minutën e 3-të. Kthimin, skuadra daneze, e drejtuar nga Poul Eyvind Petersen, e fitoi me rezultatin 4:0 në “Loro Boriçi”.

Dy kombëtaret në fjalë janë gjendur në një grup kualifikues të Kupës së Botës tri herë. Shqipëria, e drejtuar nga Josip Kuzhe, më në fund u dha fund humbjeve në pesë ndeshje radhazi kundër Danimarkës. Kuqezinjtë i mbajtën barazimin 1:1 danezëve të Morten Olsen, në takimin e luajtur në Tiranë, më 9 shtator 2009. Nicklas Bendtner kaloi danezët në epërsi, në 40’, ndërsa Erjon Bogdani barazoi gjithçka në 50’. Klubet shqiptare dhe ato daneze janë takuar tetë herë në kompeticionet e zhvilluara nga UEFA. Të parat nuk njohin ende asnjë fitore ndaj të dytëve.

Shqiptarët, në rang klubesh, kanë barazuar 2 ndeshje dhe kanë humbur 6 të tilla ndaj danezëve. Megjithatë, Besa e Kavajës ka eliminuar BK Fremad Amager, falë golit në fushë kundërshtare, në raundin e parë të Kupës UEFA në edicionin 1972-1973. Në 26 takimet ndërmjet palëve, duke përfshirë klubet, të rinjtë, femrat dhe futsall-in, 19 prej tyre kanë përfunduar me fitoren e nordikëve, ndërsa vetëm 3 fitore regjistron Shqipëria.

Gjyqtar i rreptë – Ndeshja Danimarkë-Shqipëri do të gjykohet nga një treshe skoceze. Arbitri kryesor që do të bëjë drejtësi në “Telia Parken”, mbrëmjen e 4 shtatorit, do të jetë William Collum, ndërsa ndihmës bashkatdhetari i tij, Francis Connor, si dhe ilrandezi Damien MacGraith. Arbitra linje, mbas portave, do të jenë dy skocezë të tjerë, Bobby Madden dhe John Beaton.

Në prag të kësaj ndeshjeje ia vlen të përmendim edhe dy koincidenca, që shpresojmë të vlejnë për mirë. Trajneri De Biazi dhe kuqezinjtë kanë shkarkuar nga një trajner për secilën kombëtare rivale në grupin tonë kualifikues. Që në start, fitorja 1:0, me eurogolin e Bekim Balajt, bëri që Portugalia të largonte paulo Benton. Edhe Armenia e largoi trajnerin Shalande pas humbjes 2:1 në “Elbasan Arena”.


E njëjta gjë edhe me Dik Advokat, pas ndeshjes së ndërprerë në minutën e 41-të me Shqipërinë, teksa u detyrua të japë dorëheqjen. I vetmi që ka mbijetuar, prej shumë vitesh, në fakt, është Morten Olsen. Një humbje e tij në “Telia Parken”, mbrëmjen e 4 shtatorit, do ta “minonte” mundësinë e kualifikimit direkt në “Euro 2016”. Pra, do të tronditej edhe stoli i tij nga kuqezinjtë.

E dyta, data 4 shtator është e shënuar për futbollin shqiptar. Le të kthehemi pas në kohë, në vitin 2014, kur Greqia vinte në “Qemal Stafa” si kampione e sapokurorëzuar e Europës. Kuqezinjtë e drejtuar nga gjermani Hans Peter Brigel fituan 2:1, duke i zbritur me këmbët në tokë helenët, por edhe duke gëzuar pa masë shqiptarët kudo që jetojnë. Asaj dite, kuqezinjtë i treguan Europës se si mundet Greqia, teksa kishin dështuar ta bënin këtë kombëtare “big” në Portugali, vendin ku u zhvilluan finalet e kompeticionit në fjalë. Ndoshta kjo datë është me fat për Shqipërinë, edhe tani, pas 11 vitesh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat