De Biasi: Favorite Danimarka, por ne luajmë me zemër

Sporti

De Biasi: Favorite Danimarka, por ne luajmë me zemër

Më: 4 shtator 2015 Në ora: 08:00

Pas trajnerit të Danimarkës, Marten Olsen, radhën në konferencën për shtyp e ka pasur trajneri ynë, Gianni De Biasi, që së bashku me kapitenin Lork Cana kanë thënë fjalët e tyre për ndeshjen e sotme.
Të dy kanë qenë sinkron, duke e ditur vështirësinë e ndeshjes, por besojnë se do të nxjerrin një ndeshje tjetër pozitive dhe me këtë qëllim kanë udhëtuar drejt Danimarkës.

Trajneri ynë e cilësoi Danimarkën si favorite për fitimin e ndeshjes, por shtoi se skuadra e tij luan me zemër dhe do të provojë të bëjë rezultat në këtë sfidë.

“Danimarka është skuadër me lojtarë me përvojë, me një trajner me shumë përvojë që punon prej vitesh dhe në mënyrë të shkëlqyer. Nuk do të jetë një ndeshje e lehtë, por loja fillon e barabartë. Kemi djem të rinj, që luajnë me zemër dhe vitet e fundit kanë fituar eksperiencë. Në takimin e parë barazuam 1-1, por kishim shanse për të shkuar në 2-0 dhe në fund e pësuam. Në këto eliminatore kemi arritur rezultate që nuk i kishim arritur më parë. Megjithatë, jemi me këmbë në tokë, sepse kemi bërë vetëm gjysmën e rrugës. Ndaj Danimarkës luajmë një pjesë të rëndësishme të objektivit”, u shpreh De Biasi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat