Danezët: Stadiumi të kthehet në një vullkan për Shqipërinë!

Sporti

Danezët: Stadiumi të kthehet në një vullkan për Shqipërinë!

Më: 3 shtator 2015 Në ora: 17:36

Danimarka është shumë e kujdesshme dhe ia ka drojën kombëtares së Shqipërisë. Përzgjedhësi i kombëtares së Danimarkës, Morten Olsen, në konferencë ka thënë se fitorja është e vetmja alternativë ndaj Shqipërisë, në takimin që do të zhvillohet sonte në orën 20.45 në stadiumin “Telia Parken”. Danezët janë në vend të dytë me 10 pikë, sa ka edhe Shqipëria e treta në grupin I të eliminatorëve për Euro 2016 në futboll.

“Ne e pamë në ndeshjen kundër Serbisë, në ‘Parken’, se sa i rëndësishëm është publiku ynë. Është e rëndësishme të kuptojmë se bëhet fjalë për një moment delikat të fushatës kualifikuese dhe të japim maksimumin tonë. Fitorja është alternativa e vetme, por skuadra ka nevojë për një dorë ndihmë nga tifozët, sikurse nevojitet gjithmonë në duele të vështira. Situata sa vjen dhe bëhet më e vështirë në grupin tonë kualifikues”, tha Olsen. “Shqipëria ka luajtur një ndeshje më pak se ne, por kemi numër të njëjtë pikësh, për këtë arsye na nevojitet patjetër rezultati më i mirë i mundshëm. Edhe shqiptarët vijnë me synime maksimale, ndaj nuk duhet t’i lejojmë të dalin në lojën e tyre”, thotë Olsen. Përzgjedhësi danez thotë se shqiptarët do të janë të kënaqur edhe me një pikë.

“Ata i kënaq edhe një pikë. Barazimi do të ishte si fitore për Shqipërinë. Pra, luajnë për dy rezultate, gjë që është një komoditet mjaft i mirë për një skuadër futbolli”, ka thënë Olsen. “Ne duhet të thyejmë një ekip kompakt, sidomos në mbrojtje. Nuk do të jenë 25 metra në mes të sulmit dhe mbrojtjes së tyre, kështu që do të jetë e vështirë. Është e rëndësishme që i gjithë stadiumi të kthehet në një vullkan për kundërshtarin. Do të bëjmë gjithçka është e mundur për fitoren, por, gjithashtu, duhet të luajmë me durim. Durim duhet të kenë edhe tifozët tanë. Përderisa shqiptarët do të mbrohen, sepse duan të mos pësojnë gol, para së gjithash, për lojtarët tanë do të jetë e vështirë të gjejnë pasimin e duhur, bashkëpunimin dhe hapësirat anësore. Shqipëria nuk është një ekip që të jep mundësinë për të pasur 10 raste për gol.

Jo, nuk po luajmë në kampionatin tonë, ku ke një shans të dytë pesë minuta pasi ke shpërdoruar. Lojtarët duhet të jenë të koladuar mirë në këtë drejtim, të jenë të vetëdijshëm se rreziku është permanent nëse topin e luajnë shqiptarët. Ne duhet të sulmojnë dhe t’i vëmë nën presion kundërshtarët, por jo duke sulmuar me nëntë lojtarë. Kjo do të ishte vetëvrasje. Shkuarja drejt portës kundërshtare do të bëhet me kontroll të topit dhe me durim”, ka thënë Olsen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat