Armata e futbollistëve të Kosovës te Skënderbeu

Sporti

Armata e futbollistëve të Kosovës te Skënderbeu

Më: 3 shtator 2015 Në ora: 14:54

Klubi i futbollit Skënderbeu ka bërë histori. Në fakt, klubi nga Korça nuk arriti të kualifikohej në fazën e grupeve të Champions League, pasi u eliminua në fazën e play-off-it.

Por kampioni në fuqi i Shqipërisë shkroi histori duke u bërë klubi i parë shqiptar që arriti kaq larg në gara evropiane. Me të arritur në play-off të “Championsit”, Skënderbeu e kishte të sigurt të paktën pjesëmarrjen në fazën e grupeve të Europa League. Faza e grupeve e një gare evropiane për herë të parë do të luhet nga një skuadër shqiptare.

Pjesë e kësaj historie janë plot gjashtë futbollistët nga Kosova: Bernard Berisha, Liridon Latifi, Bajram Jashanica, Leonit Abazi, Deniz Troshupa e Bujar Shabani. Madje, katër të parët luajtën rol të madh në suksesin e Skënderbeut në garat evropiane këtë verë. Të rëndësishëm presin të jenë edhe në fazën e grupeve të Ligës së Evropës. Skënderbeu kaloi dy skuadra evropiane në kualifikime për Champions para se të ndalej nga Dinamo.

Berisha 23-vjeçar është i lumtur që ka dhënë kontributin e tij që Skënderbeu të bëjë histori. Ai ka qenë ndër lojtaret me kontributin me te madh që Skënderbeu arriti deri në këtë fazë.

“Të gjithë duhet të krenohemi me këtë sukses. Nuk është pak të arrish deri në këtë fazë. Por e kemi bërë me punë të madhe”, thotë Berisha që mbulon krahun e majtë të mesfushës te skuadra korçare.
Berisha në verën e vitit të kaluar iu bashkua Skënderbeut nga Besa e Kavajës. Kalimi në skuadrën korçare, siç thotë Berisha, ia ka ngritur edhe më shumë nivelin e lojës. Ai pranon se kishte pasur vështirësi në fillim. Berisha në 47 paraqitje ka shënuar nëntë gola dhe ka kontribuar me tre asistime.

“Te Skënderbeu pata vështirësi në fillim, pasi u transferova në klubin kampion. Por, me punë kam arritur në këtë nivel ku jam sot”, ka thënë Berisha që më herët ka luajtur për Besën e Pejës ku edhe e kishte nisur karrierën në moshën 10-vjeçare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat