Salihu: Kënaqësi të shkruhet një libër për mua

Sporti

Salihu: Kënaqësi të shkruhet një libër për mua

Më: 3 shtator 2015 Në ora: 12:14

Rreth 200 faqe libër do të shpalosen të arriturat, sakrificat, sfidat dhe vuajtjet e legjendës së boksit të Kosovës, Aziz Salihu.
Autori Cen Pushkolli, pos sukseseve të Salihut, ka mbledhur edhe shumë deklarata nga personalitetet të ndryshme sportive dhe publike të Kosovës.

“Është një kënaqësi të shkruhet një libër për mua, për të ditur se kush është në të vërtetë Aziz Salihu. Shumë personalitete kanë folur për të arriturat e mia. Njerëzit mezi po presin të shohin këtë libër, sidomos në diasporë. Është kënaqësi të lexoj deklaratat që janë dhënë për emrin tim. Disa i kam harruar, por të tjerët m’i kanë kujtuar. Ka pasur edhe të atillë që për shkak të xhelozisë nuk kanë dhënë deklarata. Megjithatë kjo është e kuptueshme. Të gjithë e dinë se çfarë kam bërë unë për sportin e Kosovës. Të gjitha këto janë në këtë libër”, ka thënë Salihu.

Fituesi i medaljes së bronztë olimpike më 1984, vlerëson se libri që pritet të shtypet në tirazh prej 10 mijë copësh, do ta bëjë atë të pavdekshëm për gjenerata të tëra.

“Pres edhe ndihma të ndryshme për të sponsorizuar këtë libër dhe të dalë në shitje. Ky libër ka vlerë të madhe. Unë do të vazhdoj të punoj për sportin e Kosovës”, ka theksuar Salihu.

Librit nuk do t’i vihet një çmim. Çmimin do ta vendosin vetë ata që do të blejnë këtë libër. Me mjetet që do të grumbullohen, mendohet t’i bëhet një zgjidhje Salihut, duke i ndihmuar për ta blerë një banesë. Aktualisht, thotë se nuk ka një të tillë.

Autori i librit, Cenë Pushkolli, mendon se kjo mund të bëhet.

“Do të marr edhe një mendim nga ministri i Sportit, Kujtim Shala dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nëse dëshirojnë të jenë botues të librit. Në këtë libër kanë folur shumë personalitete sportive dhe jashtë sportit për të arriturat e Aziz Salihut”, ka thënë Pushkolli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat