Kuqezinjtë nisen për në Danimarkë

Sporti

Kuqezinjtë nisen për në Danimarkë

Më: 3 shtator 2015 Në ora: 10:36

TKZ të Skandinavisë ka menduar për një pritje të ngrohtë në Aeroportin e Kopenhagës për kombëtaren shqiptare. Ata njoftojnë se do të jenë aty në momentin e mbërritjes së kuqezinjve, rreth orës 17:25.

Tifozët kuqezinj janë nisur sot nga Tirana, me autobusë, për të mbërritur në Kopenhagë ditën e ndeshjes dhe për ta mbështetur kombëtaren shqiptare në një nga sfidat më delikate të kësaj fushate kualifikuese.

Fjala është për ata që nuk kanë patur mundësi financiare të shkojnë me avion në kryeqytetin e Danimarkës, por kanë zgjedhur rrugën shumëfish më të gjatë, me autobusë, duke mos pyetur për kilometrat e tëra që duhet të përshkojnë, vetëm për të qenë të pranishëm në “Telia Parken” mbrëmjen e 4 shtatorit.

Nga qendra e Tiranës janë nisur dhjetëra autobusë me tifozë shqiptarë, që nëpër dritaret e tyre tifozët valëvisnin flamurin kuqezi dhe bërtisnin “Shqipëri, Shqipëri”. Janë mbi 2 mijë persona, që janë pajisur me bileta nga FSHF-ja dhe do të vendosen në sektorin e përcaktuar nga organizatorët e ndeshjes në stadium.

Por, rreth 6 mijë të tjerë, nga vende të ndryshme të Europës, emigrantë shqiptarë, kanë arritur të sigurojnë bileta në sektorët e stadiumit për tifozët vendas.
Sipas mediave daneze, ata rrezikojnë të mos hyjnë në stadium, duke u “filtruar” që në hyrje të “Telia Parken” nga policia.

Ata që do të identifikohen përmes emrit, se janë shqiptarë, do të kthehen mbrapsht. Kush depërton brenda stadiumit dhe konstatohet duke festuar për kuqezinjtë në pjesën e tifozërisë daneze, do të nxirret menjëherë nga stadiumi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat