Cikalleshi: Do të arrijmë rezultat pozitiv në Danimarkë

Sporti

Cikalleshi: Do të arrijmë rezultat pozitiv në Danimarkë

Më: 2 shtator 2015 Në ora: 16:33

Një ndër më energjikët në fushën e lojës me Kombëtaren, por edhe më i pafati. Shtatlarti Sokol Cikalleshi është njeriu i shtyllave për kuqezinjtë, pasi as portierët kundërshtarë nuk e kanë ndalur aq shumë sa ato, për gjetjen e golit.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, sulmuesi i Kombëtares tregon objektivat e tij personalë, si dhe parashikon sfidën. Sipas sulmuesit që është në kërkim të rrjetës së parë si kuqezi, skuadra është në momentet më të mira dhe se të gjithë bashkë, tifozët dhe lojtarët, janë të vendosur në plotësimin e ëndrrës së madhe.

“Nga tifozët po marrim forcën që na duhet dhe unë kam besim që do të arrijmë rezultat pozitiv në Danimarkë. Nuk na tremb asnjë kundërshtar dhe do të japim shpirtin në fushë për fitore”, u shpreh ndër të tjera sulmuesi i transferuar në kampionatin turk, në lidhje me ndeshjen e radhës ndaj danezëve.
“Goli me Kombëtaren? E dinë shtyllat kur do të vijë… (qesh)”, shprehet sulmuesi në lidhje me rrjetën e parë me Kombëtaren.

Shqipëria është përpara një ndeshjeje shumë të rëndësishme. Si është ekipi para këtyre dy takimeve?
Është e vërtetë. Për ne, çdo ndeshje ka qenë e rëndësishme dhe kemi respektuar një rregull të pashkruar që kemi menduar vetëm për takimin e radhës. Shoh një atmosferë mjaft të mirë tek të gjithë lojtarët dhe kjo gjë vjen edhe për shkak se tashmë jemi shokë dhe jo vetëm lojtarë të një ekipi. Po presim me padurim që të zbresim në fushë për të dhënë maksimumin, ashtu siç të gjithë tifozët presin triumfin tonë. Mbrojtja është reparti me më shumë probleme në këtë ndeshje.
Ky fakt, a na bën të jemi më të ndrojtur dhe më të kujdesshëm në këtë sfidë?
Aspak! Ne jemi një ekip harmonik që e ndihmojmë njëri-tjetrin në mbrojtje apo edhe në veprimet sulmuese. I gjithë ekipi është një, nga mbrojtja në sulm. Jemi të gjithë të gatshëm për të dhënë maksimumin dhe ndihemi mirë.
Keni bërë një nisje të mirë të aventurës në Turqi, ndërkohë që në ndeshjen e fundit keni luajtur vetëm pak. Përse kjo zgjedhje e trajnerit?

Ne jemi një ndër ekipet më të mira në Turqi dhe sigurisht që ndodh shpesh rotacioni midis lojtarëve. Mendoj se kam bërë mirë deri tani duke shënuar dhe asistuar në disa raste. Shpresoj që të vazhdoj edhe në Kombëtare!
Balaj e Gashi kanë shënuar gjatë fundjavës së fundit. E shton presionin te ju përpara ndeshjes me Danimarkën kjo gjë?

Jo, aspak. Për mua nuk ka asnjë lloj presioni. Puna ime është që të jap maksimumin tim në stërvitje apo në çdo minutë që jam në fushë. Më pas, është trajneri që vendos për çdo gjë. Unë nuk mund të flas për zgjedhjet e trajnerit, sepse është ai që vendos për çdo lojtar.
Ju ka munguar goli me Kombëtaren. Kjo për shkak të tipit të lojës së Shqipërisë apo thjesht çështje fati?
Është e vërtetë, por përgjigjen e kësaj pyetjeje e japin më mirë shtyllat që kam goditur. Ato e dinë kur do të shënoj (qesh…).
Çfarë do të bëni më shumë për të arritur te goli?
Dëshira e çdo lojtari, aq më shumë e sulmuesve, është që të shënojë. E përsëris, detyra ime është të stërvitem dhe të bëj maksimumin në çdo minutë. Për të tjerat, s’mund të parashikoj asgjë.
Sa e rëndësishme është ndeshja e radhës për kualifikimin direkt?
Jo vetëm kjo, por të dyja takimet janë më të rëndësishmet e kompleticionit. Me Danimarkën merr një rëndësi të veçantë, për shkak të faktit se është me pikë të barabarta me ne. Kemi bërë mirë në pjesën e parë të edicionit dhe shpresoj që të ruajmë këto ritme.

Çfarë duhet të bëjë Shqipëria për të marrë një rezultat pozitiv në këtë transfertë?
Është një pyetje që unë nuk dua të futem në aspekte teknike, pasi është pjesë që i përket trajnerit dhe stafit të tij. Unë si futbollist mund t’ju them që ne do të japim shpirtin në fushë për të arritur fitoren.

A do ta pranonit një barazim përpara përballjes me Danimarkës?

Ne futemi në fushë gjithmonë për fitore, pavarësisht se cila skuadër është përballë. Shqiptarët nuk dorëzohen kurrë kur bëhet fjalë për të arritur një fitore. Në edicionet e kaluara, kemi gabuar gjithmonë në pjesën e dytë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat