Skënderbeu me dy formacione!

Sporti

Skënderbeu me dy formacione!

Më: 2 shtator 2015 Në ora: 15:15

Organikë mjaft e pasur për sezonin e ri. Trajneri Mirel Josa ka dy 11-sha dhe korçarët janë kandidatët kryesorë për titullin e 6-të radhazi.Pas mbylljes së afatit kalimtar, Skënderbeu është skuadra me organikën më të pasur dhe me më shumë kualitet.

Pas publikimit të listës prej 25 futbollistësh, trajneri Mirel Josa është në siklet, sepse ka shumë futbollistë cilësorë dhe e ka të vështirë të zgjedhë javë pas jave 11-shin më të mirë. Me këtë organikë Skënderbeu është pretendenti absolut për titullin e radhës. Por kjo organikë është e domosdoshme, sepse kampionët, veç kampionatit dhe Kupës, luajnë edhe në Europa League, të paktën deri në dhjetor. Për emrat e 25 lojtarëve duhet thënë se është e vështirë të ndash titullarët nga zëvendësuesit. Mund të thuhet pa frikë se Skënderbeu ka dy formacione dhe kjo është patjetër në të mirë të ekipit, sepse konkurrenca sjell më shumë grinte.

FORMACIONI 1 – Në bazë të Asaj që është parë në ndeshjet e Championsit, i takon që zgjedhjet e para të trajnerit Josa të jenë këto; në portë i padiskutueshëm Shehi, në mbrojtje Vangjeli në të djathtë, Radas dhe Osmani në qendër, dhe Arapi në të majtë. Në mesfushë, Latifi dhe Berisha luajnë nga krahët, kurse Shkëmbi dhe Lilaj në qendër. Sulmi në këtë 11-sh pritet të ketë dyshen Salihi-Peter. Një formacion shumë i frikshëm, me skemën 4-4-2.

FORMACIONI 2 – Por po kështu duket edhe formacioni i dytë i Skënderbeut, nëse mund ta quajmë kështu. Thuajse të gjithë lojtarët e këtij formacioni mund të jenë titullarë. Porta nis me Llapanjin, për të vazhduar në mbrojtje me braziliani Souza, Jashanicën, Lulajn dhe Abazin. Në mesfushë janë të gatshëm Progni, Eskuerdinja, Nimaga dhe Dema, kurse sulmi përbëhet nga Hristov dhe Abilaliaj. Edhe këta emra janë të denjë për në formacion, prandaj dhe trajneri Josa është në “hall”. Ai ka të gatshëm edhe tre lojtarë të tjerë, portierin Troshupa dhe mesfushorët Shabani e Djair. Këta janë 25 lojtarët cilësorë të Skënderbeut dhe tashmë fjala i mbetet trajnerit Josa.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat