Bunjaku: Do të stërvitim lojën ofensive

Sporti

Bunjaku: Do të stërvitim lojën ofensive

Më: 31 gusht 2015 Në ora: 14:53

Përfaqësuesja A e Kosovës në futboll në pamundësi të zhvillimit të ndonjë miqësore më ndonjë përfaqësuese, e ka parë të arsyeshme që të grumbullohen. Kosova e kishte në plan të ballafaqohet me Burkina Fason, por kjo miëëqsore dështoi me fajin e Burkina Faso. Drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës nuk pranuan që përfaqësuesja e Kosovës të takohet me ekipin e Burkina fasos, pasi kjo e fundit kishte paralajmëruar listën me futbollistë të rinj. Albert Bunjaku, përzgjedhës i Kosovës, tha është mirë të grumbullohen. Nga futbollistët e ftuar dy munguan me arsye.

“Meqenëse nuk arritëm të kemi lojë, ne si shtab teknik kemi menduar se megjithatë është e mirë të kemi një grumbullim. Futbollistët kanë arritur me përjashtim të Mërgim Brahimit dhe Hekuran Kryeziut, të cilët për shkak se është dita e fundit për transferime i kemi lejuar të mos vijnë. Do të kemi një ushtrim të ndarë në dy pjesë dhe për shkak të kohës së nxehtë terminin e ushtrimit e kemi shtyrë për në orën 18.00 dhe do të mbahet në Kastriot. Ky është një mundësi e mirë dhe do ta shfrytëzojmë këtë grumbullim ku do të stërvitim lojën ofensive duke filluar nga faza e fillimit të aksionit, ndërtimi apo krijimi i aksionit dhe finalizimi i tij.

Me 2 shtator do të kemi një lojë të brendshme pasi këtë na e mundëson numri i madh i lojtarëve që i kemi ftuar dhe do të jetë një ndeshje që do të drejtohet nga gjyqtarët. Do të kemi bisedime individuale dhe maksimalisht do ta shfrytëzojmë në mënyrë profesionale për ngritjen e përfaqësueses”, ka thënë Bunjaku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat