Tarashaj shënoi, Grasshoppers fitoi derbin

Sporti

Tarashaj shënoi, Grasshoppers fitoi derbin

Nga: Kemajl Goca Më: 30 gusht 2015 Në ora: 17:54

Shani Tarashaj po dëshmohet gjithnjë e më i mirë në fanellën e Grasshoppersit. Ai shënoi për Grasshoppersin, ku si vendas triumfuan me rezultat 3:2 kundër Young Boys-it, njëherësh ishte edhe si derbi i javës së shtatë të Superligës së Zvicrës. Futbollisti Tarashaj si gjithnjë titullar, ishte i shkëlqyeshëm në fushë me bashkëlojtarë dhe fituan tri pikë të mëdha. Florent Hadërgjonaj u paraqit standard, por me gjithë orvatjen nuk e gjetën formulën që të kthehen me një pikë, ngase vendasit ishin më të vëmendshëm.

Ravet në minutën e 15-të shënoi për epërsinë e vendasve dhe pesë minuta (40’) pa përfunduar pjesa e parë, Tarashaj realizoi për 2:0, për të cilin ishte edhe goli i gjashtë në edicionin e sivjetshëm. Caio në minutën e 59-të trefishoi epërsinë në 3:0, por e cila u rrezikua në finish nga mysafirët kur shënuan dy herë. Vilotiç në minutën e 68-të ngushtoi humbjen, pastaj edhe Kubo realizoi në atë të 80-tën për 3:2 pas asistimit të Hadërgjonajt. Por vendasit nuk lejuan përmbysjen sensacionale të rezultatit dhe ruajtën epërsinë deri në fund. Tarashaj luajti deri në minutën e 73-të, duke dëshmuar edhe një herë cilësitë e tija të një shënuesit efikas. Grasshoppers është në vend të dytë me 16 pikë, kurse Young Boysi i pesti me 9 pikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat