Teuta fiton dhe kryeson

Sporti

Teuta fiton dhe kryeson

Më: 29 gusht 2015 Në ora: 22:26

Teuta është mbretëresha e Superiores pas dy javëve të para të sezonit. Skuadra durrsake pas suksesit në transfertë me Flamurtarin, arrin të gjynjëzojë me rezultatin 2-0 në “Niko Dovana” Vllazninë, që dukej ende e paharmonizuar për shkak të fillimit me vonesë të përgatitjeve dhe ndryshimeve të shumta në organikë. Formacionii Gugash Maganit, sikurse në Vlorë ishte ndjeshëm më lart se kundërshtari përsa i përket gjendjes fizike, ndërsa të rinjtë e afruar gjatë verës, si Lamcja, Hila apo Magani të jepnin përshtypjen sikur kishin vite që luanin me Teutën.

Tentativa e dështuar e Borshit të Vllaznisë në minutën e nëntë thjesht i shkundi Djemtë e Detit, që u shfaqën të më rrjedhshëm në lojën sulmuese derisa në minutën e 26-të në zhvillimet e një goditjeje dënimi, Erand Hoxha, i gjendur në kohën dhe vendin e duhur thjesht e shtyu topin drejt rrjetës.

Vllaznia u mundua të kundërpërgjigjej me Hakën në të 32-n, por goditja e mbrojtësit 19-vjecar ishte e lehtë për t’u kontrolluar nga Rizvani. Pjesa e dytë nisi me një tjetër gol për Teutën që mban firmën e Maganit, sigurisht jo të atij të pankinës, por të djalit Artur.

21-vjecari kërceu bukur me kokë pranë zonës së portierit Sherri, duke e dërguar topin pas shpinës së 17-vjecarit shkodran. E gjendur në disavantazh të dy golave Vllaznia u hodh e tëra në sulm, por rrezikoi të ndëshkohej me golin e tretë, ku në një rast Sherrit i erdhi në ndihmë traversa. Në minutat e mbetura Vllaznia e shtoi ndjeshëm presionin, po e kishte të pamundur për të shkuar deri të goli, ndoshta edhe për shkak të eksperiencës së paktë të të rinjve shkodranë në Kategorinë Superiore. Me këtë fitore Teuta ngjitet e vetme në krye të klasifikimit me 6 pikë të plota, ndërsa Vllaznia mbetet me zero pikë, por me një ndeshje më pak, atë të prapambetur me Skënderbeun.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat