Karabeci shpëton Tiranën, 1-1 me Laçin

Sporti

Karabeci shpëton Tiranën, 1-1 me Laçin

Më: 29 gusht 2015 Në ora: 21:26

Përfundon 1-1 në Krujë mes Lacit dhe Tiranës, bardheblutë kanë arritur të marrin vetëm në finale një pikë falë një perle të Karabecit pas 90 minutave zhgënjyese për kryeqytetasit që nxorrën në pah impotencën në sulm, natyrisht për meritë të Lacit që vijon të mbetet macja e zezë e 24 herë kampionëve. Pas tre vjet pritje Tiranës i duhet ende të shtyjë takimin me fitoren në një transfertë me kurbinasit.

Me mungesa të rëndësishme, Cungu pa Vujadonivoc në portë sërish heroi i Superkupës Selmani ndërsa Mitraj dhe James në sulm, ndërsa te Tirana Muca rreshtonte përpara Gilberton të mbështetur nga Vucaj, një ish i madh i Lacit dhe Gilman Liken e Gilberton nga krahet. Fillim pa shumë emocione me Tiranën që ishte disi më mirë në qarkullimin e topit por me lojën të përqëndruar në mesfushë nuk kishte ndonjë gjë të madhe për të treguar përvec disa dueleve pa shumë interes larg portave dhe duket se ishte loja që i shkonte për shtat Lacit që goditi befasisht pas gjysmë ore lojë. Aldo Mitraj gjen korridorin perfekt për James që futet si thika në gjalpë në qendër të mbrojtjes, kalon topin sipër Stivi Frashërit dhe 1-0 për Lacin.

Dhuratë aspak e bukur kjo për portierin e Tiranës në ditën e 25 vjetorit të lindjes. Gjithsesi Muca duhet të ketë mbajtur shënime pasi pak më vonë është e njëjta pikë nevralgjike për aksionet e Lacit me Tiranën që fut sërish ujë në minutën e 37. Reagim i vakët i bardhebluve me një goditje dënimi të Bulkut që s’përbën aspak problem për Selmanin. Tirana mbyll pjesën e parë në disavantazh dhe përpiqet të gjejë kthesën në të dytën. Gilberto lëshon një goditje qendrore por potente që Selmani gjithsesi arrin ta kontrollojë në minutën e 51. Braziliani ka rastin e artë për të ekuilibruar 9 minuta më vonë por shpërdoron me një goditje për t’u harruar me kokë. Episod në favor të Tiranës në minutën e 77 me Emiljano Veliajn që i kushton kartonin e dytë të verdhë ky duel i rrezikshëm me Kërcikun dhe Laci mbetet me 10 lojtarë. Muca kafshon gishtat për të shfrytëzuar mundësinë e krijuar dhe Tirana në epërsi numerike e mbyll Lacin në gjysmëfushën e tij, por bardheblutë gjithsesi xhirojnë në vend pasi nuk arrijnë të krijojnë rrezik konkret në portën kurbinase deri në fundin e kohës së rregullt. Kështu që në shtesë Karabeci vendos të bëjë gjithcka vetë nga distanca me një eurogol fantastik.

Bardheblutë në delir, ashtu si dhe në sezonin e kaluar Tirana reagon në fund, por vetëm falë një gjesti individual të Karabecit. Mbeten dhe dy minuta shtesë por shërbejnë vetëm për kartonin e dytë të verdhë të Fukuit që barazon forcat në fushë dhe një ndeshje të mbyllur mes polemikash të panevojshme në stilin tipik shqiptar. Laci vijon të mbetet një tabu për Tiranën, që ka vërtet nevojë për Bakajn.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat