Ja kë e bojkotojnë në Gjermani

Sporti

Ja kë e bojkotojnë në Gjermani

Më: 28 gusht 2015 Në ora: 18:04

Dhuna dhe slloganet e shumta raciste shtrëngojnë një pjesë të mirë të skuadrave diletante në një prej kategorive më të ulëta të futbollit gjerman për të bojkotuar klubin Ostelbien Dornburg.

Rebelimin kundër këtij ekipi me sfond të thellë neonazist e nisi gjyqtari Michael Pieper, që në të përjavshmen “Die Zeit” një muaj më parë tregoi historinë e këtij klubi si dhe bëri të qartë për opininin se cilët ishin në të vërtetë futbollistët e këtij ekipi. “Hebrenj të ndyrë, ju kanë harruar në Auschitz” është vetëm një prej parullave të shumta ofenduese ndaj komunitetit hebraik. Falë episodeve të shumtë të dhunës në fushë dhe jashtë saj ky klub i themeluar nga tifozë fanatikë bëri përpara në Kreisliga Jerichower Land Sud, në Saksoninë – Anhalt, pikërisht në Ish – Gjermaninë Lindore, pra një ndër kategoritë e diletantëve në futbollin e këtij vendi.

Ditën e shtunë Ostelbien Dornburg duhej të zhvillonte ndeshjen hapëse të sezonit të ri por ekipi i Traktor Schermen vendosi të mos paraqitej, duke rrezikuar kështu edhe humbjen në tavolinë.

“Ne ndaj neonazistëve nuk luajmë” deklaroi presidenti i Traktorit Fritz Franke dhe lajmi po bën xhiron e botës, madje Franke shkoi akoma më larg duke i kërkuar federatës lokale FSA në Landessportbund, entit rajonal të sportit që të vendosë nëse klubi Ostelbien Dornburg duhet të vazhdojë të ekzistojë apo jo. Vetëm pak kohë më parë katër klube patën paralajmëruar bojkotimin e kësaj lige dhe plot 59 gjyqtarë nga 65 gjithsej deklaruan hapur se nuk dëshirojnë më të drejtojnë një ekip si Ostelbien, skuadër e krijuar falë vullnetit të “Blue White Street Elite”, grupim ekstrem i shkrirë nga autoritetet e zonës.

Zënkat, ofendimet ndaj gjyqtarëve dhe ndërprerjet e takimeve shpesh herë kanë shtrënguar autoritetet për të dërguar deri 40 policë për ndeshjet e tyre, ndërsa më pas erdhi edhe rebelimi i skuadrave të tjera të rajonit, në bazë të një hetimi sipas të cilit 15 nga 18 futbollistët e Ostelbien rezultuan me bindje neonaziste. Edhe vetë kapiteni Denis Wesemann është parë shpesh në mitingjet e organizuar nga grupet e ekstremit të djathtë, madje kandidoi edhe për kryetar bashkie, ku u mund për fare pak vota.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat