Vdekja është e sigurt, jeta jo...

Sporti

Vdekja është e sigurt, jeta jo...

Më: 27 gusht 2015 Në ora: 12:27

Klaudin Ndoja ka lënë mënjanë topin e basketbollit për të marrë penën dhe treguar jetën e tij të vështirë si emigrant në një shtet tjetër.

Klaudio Ndoja, basketbollisti i skuadrës së Tezenis Verona dhe ekipit tonë kombëtar për të rritur, do të nxjerë në shitje më datën 2 shtator, një librë të titulluar “Vdekja është e sigurt, jeta jo”. Një libër që pasqyron jetën e basketbollistit shqiptar nga Shkodra, që ka emigruar në Itali që i vogël dhe ka arritur të tregojë se mund t’ia dalë mbanë edhe pse përmes shumë vështirësive, vuajtjeve, paragjykimeve e sakrificave falë punës dhe pasionit për basketbollin. Pra, në një moment të karrierës së tij, basketbollisti shqiptar ka lënë mënjanë topin e basketbollit për të marrë penën dhe treguar jetën e tij të vështirë si emigrant në një shtet tjetër.

Në një deklaratë që ka lëshuar në rrjetin social “Facebook”, basketbollisti Klaudio Ndoja për librin e tij thotë: “… një libër që flet për jetën time, por që nuk është vetëm e imja, por e miliona emigrantëve, që ashtu si unë vijnë në Itali për të gjetur fatin e tyre dhe provojnë të ndryshojnë jetën e tyre për më mirë. Në këto momente që flitet shumë për emigrimin, për integrimin, unë jam përpjekur të tregoj historinë time, vështirësitë që kam kaluar, sfida kundër paragjykimeve dhe shumë gjëra të tjera...”, thotë Ndoja, që flet hapur për atë që ka kaluar në jetën e tij, raporton sporti1.

Më tej, basketbollisti shqiptar shton: “Është një histori që flet më shumë për jetën se sa për sportin, më shumë një romancë se sa një biografi. E kam shkruar këtë libër me ndihmën e shumë personave, që bëjnë pjesën në këtë jetë”, thotë Ndoja, që në fund deklaron se të ardhurat që do të mblidhen nga shitja e librit do të shkojnë për bamirësi në vendlindjen e tij.

“Shpresoj të shiten shumë kopje, pasi të ardhurat, që do t’i kem personalisht, do të jepen në bamirësi në jetimoren e Shkodrës. Ndaj, nëse do të blini këtë libër do të bëni një bamirësi…”, thotë Ndoja që e mbyll deklaratën e tij duke thënë. “Shpresoj që ky libër t’i shërbejë ndokujt që është në vështirësi dhe po kalon ato probleme që kam kaluar unë”. Pra, në këto momente që flitet për emigrim dhe azil jashtë Shqipërisë, një histori e asaj që kanë kaluar shqiptarët në kërkim të një jete më të mirë…

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat