Manaj mahnit Italinë, ngjan me Vierin (Video)

Sporti

Manaj mahnit Italinë, ngjan me Vierin (Video)

Më: 5 gusht 2015 Në ora: 13:33

Rei Manaj duket se po e shfrytëzon më së miri mundësinë që Roberto Mançini i ka dhënë duke e grumbulluar me ekipin e parë.

Talenti shqiptar që iu bashkua zikaltërve për një milion euro nga Kremoneze në këtë afat kalimtar, shënoi të dy golat e fitores 2-1 të skuadrës së rezervave kundër titullarëve në minindeshjen stërvitore të martën pasdite në Bruniko.

Për 18-vjeçarin e Kombëtares shqiptare U-21 ka shprehur vlerësim ish-trajneri i Interit, Xhixhi Simoni, aktualisht president i Kremonezes. “Është i fortë fizikisht - u shpreh për ‘Tuttosport’-in tekniku që stërviti ‘Fenomenin’ Ronaldo -. Gjuan fort me të dyja këmbët dhe me kokë. Kur luan me moshatarët duket që ka një tjetër nivel. Duhet të piqet pak e të përmirësohet në disa aspekte, por i ka të gjitha mundësitë për t’u bërë i madh. Më ngjan me Vierin. Te Kremoneze shënoi vetëm dy gola, por nuk luajti shumë sepse shpesh ishte i grumbulluar me skuadrat e moshave të Shqipërisë. Donim ta mbanim edhe një vit e mandej ta shisnim, por kur të vijnë oferta nga klube të tilla nuk mund të bësh dot asgjë”.

Simoni zbulon se për bomberin lushnjar ishin të interesuar disa klube të mëdha: “Përveç Interit, e kërkonin edhe Juventusi, Lacio dhe klube të tjera të rëndësishme nga Italia. Agjenti i tij na bëri me dije se kishte marrë oferta edhe nga Anglia e Gjermania, por ne kontaktuam vetëm me ekipe italiane. Tani duhet të piqet e të mësojë të jetë i qetë; kur luan me kampionë të mëdhenj duhet të pranosh disa provokime ndaj të cilave ai shpeshherë bie pre duke qenë se është vetëm 18 vjeç. I duhet dikush që ta udhëzojë e t’i qëndrojë pranë, trajneri dhe shokët e skuadrës do të jenë thelbësorë që ai të mos digjet”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat