Ronaldo: Në familjen time e duan të gjithë futbollin

Sporti

Ronaldo: Në familjen time e duan të gjithë futbollin

Më: 2 gusht 2015 Në ora: 13:47

Cristiano Ronaldo e pranon se gjatë fëmijërisë nuk e kishte menduar asnjëherë që do të arrinte të luante si profesionist në fushën e blertë. Në një intervistë ku flet për fillimet e karrierës, ai shprehet se fillimisht nisi të stërvitej në shtëpinë e tij, por asnjëherë me objektivin për t’u bërë profesionist.

“Në familjen time e duan të gjithë futbollin. Mbaj mend se një ditë kur po luaja në rrugë babai më tha: Pse nuk fillon të stërvitesh te një klub kur unë shkoj në punë? I thashë se do të shkoja dhe ai ishte momenti që fillova të luaja. Shkoja në stërvitje çdo ditë dhe e shijoja shumë. Në fillim kisha ndjesinë se isha ndryshe nga fëmijët e tjerë por asnjëherë nuk mendoja se do të arrija nivelin e profesionistit apo të luaja për skuadra si Sportingu i Lisbonës, Manchester United apo Real Madrid”.

Në vijim të intervistës, sulmuesi luzitan shton se fillimisht e shikonte futbollin thjesht si një lojë dhe nuk mendoi për asnjë moment se kishte talent për këtë lojë. Gjithsesi, ai e pranon se iu desh të kalonte vite të tëra duke u stërvitur për të arritur në një nivel që e lejoi të garonte mes më të mirëve.

“Pas 3 apo 4 viteve fillova të mendoja dhe kisha dëshirat e mija për skuadrat ku synoja të luaja. Ëndërroja shumë fanella dhe dëshiroja të luaja me shumë ekipe të mëdha”.

Aktualisht, Cristiano Ronaldo po zhvillon përgatitjet e fundit përpara fillimit të sezonit të ri me Realin e Madridit që do të ndeshet të martën në Mynih kundër Tottenhamit për trofeun “Audi Cup”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat