Nadal kualifikohet me vështirësi në çerekfinale të turneut të Hamburgut

Sporti

Nadal kualifikohet me vështirësi në çerekfinale të turneut të Hamburgut

Më: 30 korrik 2015 Në ora: 21:36

Rafael Nadal i afrohet gjithmonë e më shumë titullit të 46 në karrierë në fushat me dhe. Pas eliminimeve të njëpasnjëshme të emrave të tillë si Tommy Robredo, Roberto Bautista Agut, Juan Monaco apo qoftë edhe tërheqjes së parakohshme të dy tenistëve David Ferrer dhe Gilles Simon Rafa i ka të gjitha mundësitë për të fituar 500 pikët që ofron turneu i Hamburgut. 29-vjecari spanjoll vijon të shfaqë luhatje dhe vazhdon të ketë probleme të mëdha përsa i përket lojës, sidoqoftë në takimin e vlefshëm për fazën e 1/8 numri 10 i botës ia doli mbanë të kalojë një pengesë të vështirë si Jiri Vesely. Pavarësisht se takimi u mbyll në vetëm dy sete Rafael Nadal u shtrëngua të qëndrojë në fushën qendrore për 2 orë e 10′ në një ndeshje ku u regjistruan plot 9 game me break.

Pas tre game-ve të para të sfidës me break dy tenistët ruajtën turnin e tyre të shërbimit dhe Rafa ia doli mbanë të mbyllë setin hapës me rezultatin 6-4, në 57′, ndërsa në setin pasardhës tenisti iberik tre herë kaloi në epërsi por po aq herë numri 45 i botës i rrëmbeu shërbimet, madje duke i anulluar kampionit të vitit 2008 një mundësi për të fituar ndeshjen në game-n e 10 të setit të dytë. Nadal gjithsesi ruajti qetësinë dhe falë eksperiencës luajti një tie break pothuajse perfekt duke mbyllur lojën përcaktuese me rezultatin e thellë 7-2. Kjo ishte përballja e parë ndërmjet tyre dhe 22-vjecari cek bëri një figurë shumë të mirë sidoqoftë në fund është Rafa ai që kalon për në turin cerekfinal, ku do të masë forcat me uruguajanin Pablo Cuevas. Numri 31 i botës në ndeshjen e tij pati nevojë për tre sete për të thyer shtatlartin polak Jerzy Janoëicz, gjithsesi pas humbjes së setit të dytë Cuevas e përmirësoi ndjeshëm lojën e tij duke fituar thellë 6-2 setin final. 90 pikë për kualifikimin për në fazën cerekfinale siguroi gjithashtu edhe tenisti italian Andreas Seppi. Numri 26 i botës përmbysi disavantazhin e setit hapës për të kompletuar një fitore të rëndësishme me shifrat 4-6, 6-2, 6-3 ndaj tenistit gjerman Florian Mayer.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat