Bahtiri bind Torcidën që të shtyhet protesta

Sporti

Bahtiri bind Torcidën që të shtyhet protesta

Më: 28 korrik 2015 Në ora: 17:49

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri dhe drejtori i DKRS-së, Ardian Kavaja, kanë biseduar me kryetarin e tifozërisë "Torcida", Genc Voca, me të cilin biseduan për gjendjen aktuale dhe afatin e mundshëm të përfundimit të palestrës së sporteve "Minatori".

Kryetari Bahtiri, tha se e kupton shqetësimin e “Torcidës” dhe është i vetëdijshëm për dëmin që ka shkaktuar vonesa e përfundimit të punimeve në palestrën e sporteve “Minatori”. “Mitrovica është qytet i sportit, sportistëve dhe rezultateve në sport, por ne po bëjmë maksimumin në kushtëzimin dhe presionin ndaj punëkryesit, në mënyrë që sa më parë të përfundojnë punimet dhe palestra të iu kthehet sportistëve dhe sportdashësve", tha kryetari Bahtiri.
Kryetari Bahtiri e ka njoftuar drejtuesin e Torcidës për presionin që ka bërë në zyrtarën e BE-së, për përfundimin sa më shpejtë të palestrës, anulimin e kontratës me kompaninë portugeze dhe bisedën me shtatë kompanitë vendore që do marrin punën në vazhdimin për përfundimin e punimeve në palestër, për çka zyrtarët e BE-së kanë kërkuar 90 ditë. Ai tha se ka kërkuar që brenda 60 ditëve të përfundohen definitivisht punimet.
Ndërsa drejtuesi i Toridës, i cili paralajmëroi edhe protestë për shkak të vonesës në aftësimin e palestrës së sporteve, tha se këto vonesa i kanë shkaktuar dëm të madh sportit të Mitrovicës.
"Ne po pranojmë sugjerimin tuaj kryetar Bahtiri, që të shtyhet protesta, mirëpo pas 60 ditëve nëse nuk përfundojnë punimet ajo do të mbahet, pasi pritjeve iu ka ardhur fundi. Po presim të kryhen punimet, në të kundërtën ne do mobilizohemi dhe demonstrojmë së bashku me sportistët dhe qytetarët", tha Genc Voca kryetar i shoqërisë "Torcida" .
Kryetari Bahtiri ka premtuar vazhdimin e presionit ndaj zyrtarëve të BE-së dhe kompanisë që do marrë punën, me qëllim që përfundimisht të përfundojnë punimet në palestër dhe sportistët të fillojnë shfrytëzimin e saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat