Barcelona kërkon trofeun e dytë rresht të Championsit

Sporti

Barcelona kërkon trofeun e dytë rresht të Championsit

Më: 28 korrik 2015 Në ora: 11:09

Barcelona synon ta fitojë për të dytën herë më radhë Champions Leaguen dhe të futet në histori si skuadra e parë që ka bërë një sukses të tillë. Katalunasit janë fitues i kurorës së trefishtë: Champions League, Ligës së Spanjës dhe Kupës së Mbretit, tani kërkojnë Superkupën e Evropës dhe të Spanjës. Në anën tjetër, sulmuesi Pedro Rodriguez me gjithë që nuk ka aq shumë hapësirë në klubin katalunas vlerësohet si pjesë e rëndësishme e skuadrës.

Presidenti Josep Maria Bartomeu nuk arrin ta imagjinojë një gjë të tillë sepse, sipas tij sulmuesi i rritur në La Masia është pjesë e historisë së Barcelonës. Kohët e fundit flitet se ai mund të transferohet në Manchester Utd, sepse nuk e ka hapësirën e duhur në Barcelonë shkaku i treshes: Messi, Neymar- Suarez. Bartomeu mendon ndryshe dhe sipas tij, shpreson që 27-vjeçari, ashtu si edhe Adriano, të vazhdojnë aventurën e tyre në Barcelonë, e cila synon t’i mbrojë të gjitha trofetë e fituara gjatë edicionit që e lamë pas.

“Gjatë ditëve të fundit Pedro ka rinovuar kontratën. Kohët e fundit nuk po luan shumë dhe kjo është e vërtetë, por është po aq e vërtetë që ai është pjesë e historisë së këtij klubi. Ai është pjesë e kurorës së trefishtë të parë por edhe e titujve që fituam këtë sezon”, tha Bartomeu. Ndërkaq, Pedro nuk arrin të pajtohet me një situatë të tillë ku duhet të bëjë rolin e violinës së dytë. Bartomeu është shprehur se Barcelona do të luftojë sërish në çdo front por parësore do të jetë Champions League ku kërkon të bëhet skuadra e parë që e fiton për dy sezone rresht që pas vitit 1990. “E dimë që do të jetë shumë e vështirë të fitojmë gjithçka. Kemi në dispozicion një skuadër shumë të mirë dhe të aftë për të përsëritur suksesin e sezonit të shkuar. Kemi mundësinë për të fituar Champions League për të dytën herë si askush tjetër më parë në historinë moderne të kësaj gare”, tha Bartomeu.

Në fund presidenti i klubit hodhi kritika edhe në vendimin e UEFA-s për të gjobitur me 300 mijë euro klubin, pasi në finalen e Berlinit, tifozët shfaqën flamuj katalunas. Bartomeu ka thënë se ky është një vendim që dhunon lirinë e shprehjes e mendimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat