Abdurrahman Roza Haxhiu Legjenda e futbollit lushnjarë

Sporti

Abdurrahman Roza Haxhiu Legjenda e futbollit lushnjarë

Më: 27 korrik 2015 Në ora: 17:53

51 vjet më parë,më 19 maj të vitit 1964,mbas një sëmundje të rëndë,në moshën 34-vjeçare, u nda nga jeta Roza (Abdurrahman) Haxhiu, një nga legjendat e futbollit luashnjar, emrin e të cilit mban sot edhe stadiumi i qytetit të Lushnjës.Roza Haxhiu, siç njihet nga të gjithë, lindi në qytetin e Lushnjës në vitin 1930. Që në fëmijëri Roza, ëndërronte të bëhej futbollist. Talenti i tij u duk që në moshën e re në ekipin e Traktorit të Lushnjës, siç quhej në ato vite skuadra lushnjare, dhe më vonë shkëlqeu në ekipet Luftëtari, Partizani dhe Dinamo. Gjatë karrierës së tij sportive, Roza u nderua me titullin e lartë “Mjeshtër i sportit” dhe u bë i njohur jo vetëm në vendin tonë, por edhe në arenën ndërkombetare, duke luajtur me ekipin e Partizanit, Dinamos dhe në ekipet tona përfaqësuese. Në fitimin e medaljeve të argjenda nga Partizani në spartakiadën e ushtrive të vendeve socialiste në Lajpcig në vitin 1958, Roza dha një kontribut të rendësishëm.Vitet e fundit të jetës së tij ia kushtoi përsëri futbollit. Ai punoi pa u lodhur si tranjer i ekipit të Traktorit të Lushnjës. Me emrin e Rozës lidhet edhe rikthimi i Traktorit në kategorinë e parë (superiore sot) në vitin 1960, pas 6 vitesh në kategorinë e dytë. Që nga ajo kohë deri në vitet ’90, Traktori do të ishte pjesë e elitës së futbollit shqiptar.Por sëmundja e rëndë, më 19 maj të vitit 1964, do ta ndante nga jeta Roza Haxhiun në një moshë fare të re, kur sapo kishte mbushur të 34 vitet.Por ka edhe një kuriozitet që lidhet me emrin e këtij legjende të futbollit lushnjar. Emri i vërtetë i Roza Haxhiut është Abdurrahman. Vëllai i tij e sqaron edhe “pagëzimin” e Abduharrmanit në Roza.“Pas një sëmundje të rëndë që ka kaluar në fëmijëri, ai është dërguar në spitalin e Lushnjes. Doktor Çabej që u kujdes pë'r të', pa se ai ishte një fëmijë shumë i bukur dhe i shëndetshëm. Në formën e një supersticioni doktor Çabej propozoi që atij t’i ndryshohej emri. Ai ishte i pari që e quajti Roza, për të simholizuar më shumë një lule të bukur, siç është trëndafili. Që nga ai moment, emri i tij do të ishte Roza dhe nuk u ndryshua më kurrë”, tregon vëllai i Roza (Abdurrahman) Haxhiut.Po ndërkohë, mos mendoni se stadiumi i qytetit të Lushnjës ka qenë aty ku është sot. Fusha e futbollit, aty ku Lushnja u ngjit në kategorinë e pare, para viteve ’60 ka qenë pikërisht ku është gjimnazi i sotëm, gati në qendër të qytetit.Pas viteve ’60 ka nisur ndërtimi i stadiumit të sotëm i qytetit të Lushnjës. Fillimisht ai e ka patur emrin Traktori, ashtu si emri i skuadrës. Pas viteve ’90, më saktë në vitin ’92, me vendim të Këshillit Bashkiak të Lushnjës, stadiumit të futbollit iu vu emri i “Roza Haxhiut”, në shenjë respekti për kontributin që ka dhënë ky futbollist dhe trajner në futbollin lushnjar.


Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat