​Në tetor ndeshja e parë e hendbollit Kosovë – Serbi

Sporti

​Në tetor ndeshja e parë e hendbollit Kosovë – Serbi

Më: 27 korrik 2015 Në ora: 16:54

Drejtues të sportit të Ferizajt dhe zyrtarë të Klubit të Hendbollit "Kastrioti" nga Ferizaj janë shprehur të hënën se janë të gatshëm të presin me nikoqirllëk ekipin serb të "Radniçkit" nga Kragujevci dhe se nuk ka nevojë për terrene neutrale.

Siç dihet tashmë në kuadër të EHF Challenge Cup ekipi ferizajas me 10 apo 11 tetor do të ndeshet me ekipin serbë nga shumadija, mirëpo këta të fundit siç po duket më shumë po e preferojnë ndonjë teren neutral se sa të udhëtojnë për në Ferizaj.

Madje në faqen zyrtare të këtij klubi ndër tjerash është thënë se zgjidhja më e mirë do të ishte një terren neutral, por që mirëpresin çdo vendim që do të sjellin institucionet e shtetit të tyre dhe Federata Evropiane e Hendbollit (EHF).

"Qëndrimi i klubit është që ne e dëshirojmë një terren neutral, megjithëse ky vendim nuk është në kompetencat tona", thuhet në faqen zyrtare të klubit.

Drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Naim Ferati ka thënë se si institucionet lokale dhe në bashkëpunim me udhëheqësit e klubit kanë arritur në përfundim për organizim të ndeshjes, mikpritjes së sportistëve nga Kragujevci, raporton KosovaPress.

"Informacionet që sot ne kemi, janë që klubi nga Kragujveci ka shprehur dilemat që loja të zhvillohet në terren neutral. Por, Ferizaj është i gatshëm që të organizojë takimin si është më së miri në çdo aspekt", ka thënë Ferati.

Edhe kryetari i klubit të hendbollit "Kastrioti", Izet Rushiti ka theksuar se ne kur kemi bërë kërkesë për pjesëmarrje në gara, jemi zotuar se do të organizojmë si duhet ndeshjet dhe për këtë nuk ka asnjë dilemë. Rushit ka shpresuar se ndeshja do të zhvillohet në Ferizaj dhe ndeshja e kthimit në Kragujevc.

"Ne nuk kemi ndonjë informatë se ekipi serb është në kërkim të terrenit neutral. Deri më sot nuk kemi pasur ndonjë informatë zyrtare, as ndonjë thirrje telefonike, përveç se në fillim pas shortit ka pasur një konfirmim se takimet do të zhvillohen sipas rregullave dhe shortit", ka thënë Rushiti

Ndryshe pas tërheqjes së shortit, eki pi serb ka vlerësuar se bëhet fjalë për ndeshje specifike me "rrezikshmëri të lartë", pasi është takimi i parë i ekipeve nga Serbia dhe Kosova në ndonjë garë të EHF-së, duke shfaqur edhe alternativa për zhvillimin e takimeve.

Për më tepër bëhet e ditur se hendbollistët e Kastriotit deri më tani kanë qenë në pushim, ndërsa së shpejti do të jetë grumbullimi i hendbollistëve dhe fillimi i përgatitjeve.

"Ne kemi filluar të shlyejmë obligimet që kemi ndaj lojtarëve, ndërsa përgatitjet do të nisin shumë shpejt. Besoj se do të bëjmë disa përforcime me lojtarë nga kampionati jonë dhe deri më 11 tetor do ta komponojmë ekipin me lojtarë cilësor dhe të kemi konkurrent për të kaluar në xhiron tjetër", ka thënë kryetari i klubit, Izet Rushiti./KosovaPress/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat