Berisha, i bindur se Skënderbeu mund ta kalojë Milsamin

Sporti

Berisha, i bindur se Skënderbeu mund ta kalojë Milsamin

Më: 27 korrik 2015 Në ora: 16:04

Bernard Berisha, futbollisti nga Kosova, shpreson se do të nxjerrin rezultat të mirë në udhëtim në përballje me Milsamin nga Moldavia. Mesfushori që nuk ka më shumë se 23 vjet ka ndihmuar ekipin e tij në kualifikimin për rrethin e tretë të Champions League, kur eliminuan Crusadersin nga Irlanda e Veriut, pasi që ishte lojtari më i mirë në fushë për kampionët e Shqipërisë.

Ai përveç se u shfaq në një formë fantastike ndihmoi skuadrën edhe me dy gola dhe një asistim. Berisha është i bindur se Skënderbeu mund ta kalojë Milsamin edhe pse në ndeshjen e parë konsideron moldavët si favoritë. “E kemi përgatitur ndeshjen mjaft mirë, ne si grup jemi përgatitur për ta kaluar edhe këtë raund. Duke marrë parasysh edhe afrimet që ka bërë klubi ne jemi forcuar shumë si skuadër në çdo aspekt.

Ardhja e Hamdi Salihit na ka ndihmuar shumë. E kemi vlerësuar shumë ekipin kundërshtar, edhe pse ata janë favoritë ne jemi përgatitur mirë dhe besoj se do ja dalim”, tha Berisha, që është i gatshëm për sfidën e nesërme, e cila luhet në orën 19.00. I pyetur se sa do të ndikojnë mungesat e Osmanit dhe Arapit në mbrojtje, ai përgjigjet: “Mendoj që janë mungesa shumë të mëdha por ne jemi një grup i mirë dhe edhe atyre që do tu jepet rasti mendoj se do ti zëvendësojnë denjësisht Arapin dhe Osmanin. Besoj se ky fakt do të ndikojë pozitivisht te ne sepse lojtarët që do të luajnë do të japin gjithcka nga vetja për të ndihmuar skuadrën dhe për të spikatur në sytë e trajnerit”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat