Starova, Partizan me 3 sulmues ndaj Stromsgodset

Sporti

Starova, Partizan me 3 sulmues ndaj Stromsgodset

Më: 8 korrik 2015 Në ora: 08:12

Për të dytën ditë radhazi Partizani e zhvilloi seancën stërvitore në terrenin e shkëlqyer të “Qemal Stafës”, aty ku të enjten në mbrëmje i mbështetur nga tifozëria e zjarrtë, do të kërkojë pëmbysjen e madhe ndaj norvegjezëve të Stromsgodset, që vijnë në Tiranë me avantazhin e rezultatit të parë. Shifrat 3-1 sigurisht që bëjnë favorit kundërshtarin e Partizanit, por në kampin e kuq besojnë te mrekullia. Tifozët e Partizanit presin me ankth të mësojnë formacionin titullar të Starovës, që në transfertën e Dramen, nuk aktivizoi për asnjë minutë Nexhipin dhe Mazrekajn, ndërsa gjatë lojës humbi për arsye dëmtimi Alban Hoxhën.

Portieri 27-vjecar po bën të pamundurën për të qenë në dispozicion të trajnerit, duke u stërvitur i diferencuar nga pjesa e tjetër e grupit nën kujdesin e fizioterapistit, ndërsa mbrojtësi Labinot Ibrahimi qëndroi gjatë gjithë kohës në stol pasi ditët e fundit ka patur probleme shëndetësore. Por si po e përgatit Starova përballjen e dytë me Stromgodset? Në kushtet klimaterike aspak të favorshme për norvegjezët dhe me mbështetjen e madhe të publikut, tekniku 59-vjecar pritet të hedhë në fushë një formacion sulmues me rreshtimin 4-3-3.

Në portë, nëse Hoxha nuk riaftësohet në kohë, do të luajë Xhika, ndërsa mbrojtja do të formohet nga Fejzullahu e Kalari nga krahët, me dyshen Vrapi-Bicaj në qendër. Në mesfushë përkrah Bathës do të rreshtohen Vila dhe Mazrekaj, ndërsa në sulm, Racic do të mbështetet nga Plaku dhe Fazliu. Starova sërish nuk është i bindur për të aktivizuar titullar Nexhipin, kontributi i të cilit mund të nevojitet me kalimin e minutave dhe në varësi të rezultatit. Seancën e fundit stërvitore para ndeshjes me Stromsgodset të kuqtë do ta zhvillojnë në Pezë Helmës, pasi “Qemal Stafa” 24 orë para takimit do të jetë në dispozicion të norvegjezëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat