Arben Muqolli në krye të Besës

Sporti

Arben Muqolli në krye të Besës

Nga: Kemajl Goca Më: 7 korrik 2015 Në ora: 10:36

Ish-hendbollisti i mirënjohur, Arben Muqolli, është emëruar kryetrajner i ri i kampionit dhe fituesit të Kupës së Kosovës, Besa Famiglia nga Peja, tha Enis Idrizi, drejtor i klubit pejan. Muqolli vjen në vend të maqedonit Tome Petreski, ndërsa portieri Daniel Dupjancanec ka kaluar te Metalurgu i Shkupit. Idrizi për gazetën kombëtare “Bota sot” tha se skuadra e tij po përgatitet për garat evropiane dhe kanë aplikuar për pjesëmarrje në EHF Cup. “Arben Muçolli është kryetrajner i ri i skuadrës. Ai ka kontratë të përjetshme, sepse kështu ishte marrëveshja pasi ai ta përfundoj karrierën aktive si lojtar, automatikisht të emërohet kryetrajner.

Ai e ka filluar karrierën në Besë, aty e ka përfunduar si lojtar, duke fituar të gjitha trofetë e mundshme. Ai do të ndihmohet nga Valon Sylejmani, ish- portier. Përgatitjet do t’i fillojmë me 3 gusht, të cilat planifikojmë një pjesë të tyre ta kryejmë edhe jashtë vendit”, tha Idrizi. Drejtori i klubit tha se Besa është klubi i parë që ka shitur një lojtar jashtë vendit.

“Struktura e klubit është e njëjtë me përjashtim të portierit Daniel Dupjancanec që është liruar dhe ka shkuar në Metalurg të Shkupit, e cila merr pjesë në kualifikimet për garat e Champions League. Kjo është një dëshmi se klubi ynë po shet lojtarë dhe një klubi të nivelit të lartë. Nga shitja kemi përfituar një shumë të respektuar (solide) të mjeteve financiare”, tha Idrizi, por që konfirmoi se janë përforcuar edhe me një hendbollist vendorë. “E kemi kryer marrëveshjen me Arbër Currin e Vëllaznimit, ndërsa përforcime të tjera varen krejt nga shorti se si do të na bien në garat evropiane. Në garat ku bëjmë pjesë ne janë ekipe shumë të forta, por një herë të shohim se me cilën ekip do të përballem, për forcën e saj, pastaj të veprojmë”, tha Idrizi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat