Hysaj kërkohet nga Schalke 04 dhe Bayer Leverkusen

Sporti

Hysaj kërkohet nga Schalke 04 dhe Bayer Leverkusen

Më: 5 korrik 2015 Në ora: 23:52

Elseid Hysaj është një nga futbollistët shqiptarë më të kërkuar për momentin në merkato. Për mbrojtësin e Empolit dhe kombëtares kuqezi nuk interesohen vetëm Napoli dhe Bologna pasi 21-vjecari i lindur në Shkodër pëlqehet shumë edhe nga dy emra të mëdhenj të futbollit gjerman si Schalke 04 dhe Bayer Leverkusen. Sipas asaj që publikon portali i njohur italian “Calciomercato.it”, Hysaj ka përfunduar në radarët e këtyre dy skuadrave. Blutë Mbretërorë dhe Aspirinat prej kohësh janë në ndjekje të mbrojtësi dhe drejtuesit e dy klubeve gjermane shohin tek Hysaj futbollistin ideal për të përforcuar krahun e djathtë në formacionin e skuadrave të tyre respektive.

Talenti shqiptar aktualisht ka si prioritet kryesor ta vijojë karrierën në Itali por një ofertë e majme e Schalkes ose Leverkusenit mund të bindë jo vetëm Empolin por edhe Hysajn të transferohet në Bundesligën gjermane. Në orët e fundit në adresë të klubit toskan ka mbrritur një ofertë prej 4 milionë Eurosh plus kartonin e lojtari të ri nga Bologna për mbrojtësin 21-vjecar por Empoli e ka refuzuar menjëherë pasi kërkon plot 8 milionë Euro për ta linë të lirë Hysajn. Për shkak të kërkesave të larta të drejtuesve të klubit toskan Napoli u tërhoq nga gara për të marrë shërbimet e mbrojtësit shqiptar por tashmë me përfshirjen e Schalkes dhe Leverkusenit në këtë operacion merkatoje vështirë se Empoli do të rezistojë gjatë. Me shumë gjasa e ardhmja e Elseid Hysajt mund të flasë gjermanisht.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat