Kukësi, Mici: Në Bjellorusi për kualifikimin

Sporti

Kukësi, Mici: Në Bjellorusi për kualifikimin

Më: 5 korrik 2015 Në ora: 23:51

Gledi Mici u transferua te Kukësi gjatë merkatos së dimrit, por i kanë mjaftuar vetëm pak muaj për të fituar besimin e drejtuesve të klubit verilindor. Mbrojtësi 24-vjeçar u aktivizua titullar në ndeshjen e parë të Europa League kundër Torpedo Zhodino, por për të rëndësi ka kualifikimi dhe jo thjesht fitorja e parë në “Qemal Stafa”.

“Nuk është mbyllur asgjë sepse do të luhen 90 minuta. Për momentin jemi të kënaqur sepse fituam 2-0 por duhet të punojmë fort edhe për ndeshjen e kthimit dhe të sigurojmë kualifikimin”.

Për mbrojtësin e nënkampionëve, skuadra ka vetëm një objektiv, kualifikimin dhe në këtë aspekt, mund të jetë e kënaqur edhe me një barazim në transfertën e Bjellorusisë.

“Do të jenë më agresivë sepse luajnë në shtëpinë e tyre por ne do të jemi më racionalë sepse na intereson kualifikimi prandaj edhe një barazim do të ishte i mirëpritur”.

24-vjeçari shton se paraqitja pozitive në një evenimentet ndërkombëtar është një vitrinë e mirë edhe për lojtarët që dëshirojnë të rriten profesionalisht.

“Të gjithë lojtarët preferojnë t’i luajnë këto ndeshje sepse kanë tjetër nivel dhe ka shumë sy të drejtuar ndaj teje. Këto janë sfida që të ndihmojnë të rritesh profesionalisht”.

Në fund, mbrojtësi i Kukësit nuk pranon të bëjë një krahasim mes skuadrës së sezonit të shkuar dhe grupit aktual, por shpreh bindjen se Kukësi do të përshkojë një rrugë të suksesshme gjatë sezonit të ri.

“Është herët të flasim për skuadrën e re. Duhet t’ia lëmë kohës por unë kam shumë besim se kjo skuadër do të shkojë larg”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat