Hamilton zotëron në Britaninë e Madhe

Sporti

Hamilton zotëron në Britaninë e Madhe

Më: 5 korrik 2015 Në ora: 16:13

Piloti i Mercedesit, Lewis Hamlton, dominoi dhe fitoi Çmimin e Madh të Britanisë së Madhe në Formula 1. Në shtegun e Silvertones, Hamilton tregoi ngasje fenomenale dhe zuri vendin e parë me kohë të kaluar 1:31:27.729 orë dhe pas tij mbetet Nico Rosberg i Mercedesit. Ai dominoi në një garë ku nuk munguan befasitë, duelet e forta, aksidentet dhe në fund reshjet e shiut. Gjithsesi 30-vjeçarit iu shpërblyen pritshmëritë e tifozëve të tij.

Britaniku, i cili mori kryesimin në xhiron e 22 regjistroi fitoren e 4 sezonale dhe te 38-n në karrierën e tij. “Punë e shkëlqyer djelmosha, jam mjaft i lumtur për këtë. I falënderoj të gjithë tifozët që erdhën për ta ndjekur garën”, tha Hamilton. Sebastian Vettel i Ferarrit arriti të ngjitet në podium, duke e zënë vendin e tretë. Ai falë strategjisë së Ferrarit dhe sigurisht eksperiencës së tij zuri vendin e tretë në një garë që ndoshta mund ta mbyllte shumë vende më poshtë.

Piloti gjerman u tregua shumë i aftë në kohën e ndërrimit të gomave për të lënë pas vetes dy makinat Williams, të cilat edhe pse e nisën mirë garën nuk arritën të ngjiteshin asnjëra në podium. Ndryshe ndodhi me Kimi Raikkonen, i cili zuri vendin e 8-të, pasi u ndëshkua nga strategjia e gabuar që përdori për ndërrimin e gomave. Kjo ecuri e finlandezit vë në pikëpyetje të ardhmen e tij në skuadrën e Ferrarit. Gara në Silverstone do të mbahet mend edhe për faktin se Fernando Alonso mori pikën e parë gjatë këtij sezoni me makinën McLaren.

Në klasifikimin e përgjithshëm Hamilton udhëheq me 194 pikë, duke lënë pas vetes Rosberg (177), pasojnë: Vettel me 135 pikë, Bottas (77) e Raikkonen (76). Ndërkaq, te skuadrat Mercedes kryeson me 371 pikë, pasojnë Ferrari me 211 pikë, Williams-Mercedes 151, RedBull - Renault 63, Force India - Mercedes 39, Lotus - Mercedes me 29 pikë etj. Gara e ardhshme do të zhvillohet në Hungari pikërisht me 26 korrik.

Rezultatet

1. Lewis Hamilton(Mercedes) 1:31:27.729 orë
2. Nico Rosberg (Mercedes) +10.956
3. Sebastian Vettel (Ferrari) +25.443
4. Felipe Massa (Williams) +36.839
5. Valtteri Bottas (Williams) +63.194
6. Daniil Kvyat (Red Bull) +63.955
7. Nico Hulkenberg (Force India) +78.744

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat