Sondazh nga Yahoo për dy shqiptarët

Sporti

Sondazh nga Yahoo për dy shqiptarët

Më: 5 korrik 2015 Në ora: 14:41

Shkëlzen Gashi dhe Taulant Xhaka, dy shqiptarët e Baselit po lakohen prej disa javësh në afatin kalimtar të verës por ende nuk ka lëvizje konkrete. Si sulmuesi ashtu edhe mesfushori kuqezi janë dy prej elementëve më të përfolur në skuadrën zvicerane pas paraqitjeve pozitive në sezonin e shkuar ku Gashi arriti të shpallej edhe golashënues i kampionatit. Në rastin e mesfushorit, interes më të madh ka shfaqur Fiorentina, ndërsa Gashi mbetet ende një pikëpyetje e madhe me Lazion në krye të listës së pretendentëve. Për të mësuar edhe mendimin e tifozëve italianë, faqja yahoosport në versionin italisht, ka hapur dy dritare me temat, “Çfarë mendoni për Shkëlzën Gashi dhe Taulant Xhaka”.

Në rastin e sulmuesit kuqezi, një komentues shprehet se e njeh mirë lojtarin, madje shton se ai është një lojtar që duhet të aktivizohet në një kampionat më konkurrues, por nga ana tjetër ka edhe nga ata që shfaqen dyshues për aftësitë e 26-vjeçarit të lindur në Zurich. Për të njëjtin sondazh të çelur për Xhakën, njëri prej komentuesve shprehet se mesfushori është një element që do t’i shërbente shumë Fiorentinës, ndërsa dikush tjetër shton se Xhaka është zgjedhur lojtari më i mirë te Baseli pas shqiptarit tjetër, Shkëlzen Gashi.

Dy sondazhe të ndara që synojnë të hedhin sa më shumë dritë rreth dy lojtarëve të Kombëtares Shqiptare, e ardhmja e të cilëve mbetet ende në udhëkryq edhe pse ata janë të lidhur me Baselin. Por ndërkohë që zërat e afatit kalimtar nuk ndalojnë, dy lojtarët e Baselit janë bashkuar me një tjetër lojtar të Kombëtares për një ndeshje miqësore. Kampionët e Zvicrës u ndeshën me Munih 1860 dhe pas takimit, Gashi e Valdet Rama edhe pse nuk kanë shënuar, pozuan me fanellat e njëri tjetrit, për të treguar se ata mbeten të bashkuar edhe larg skuadrës kuqezi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat