“Wimbledon”, Federer avancon më tej, eliminohet Kvitova

Sporti

“Wimbledon”, Federer avancon më tej, eliminohet Kvitova

Më: 4 korrik 2015 Në ora: 23:23

Roger Federer vazhdon i qetë rrugën e tij në Wimbledon dhe bën përpara në turneun absolutisht më të suksesshëm në karrierë, duke u kualifikuar mes 16 më të mirëve të këtij aktiviteti. Këtë herë megjithatë 7 herë fituesi në All England Club humbi për herë të parë set në këtë edicion, në fitoren 3-1 ndaj tenistit që mban rekordin botëror për shërbimin më të shpejtë në planet Samuel Groth, 263 km/h tre vjet më parë në një turne Challenger në Korenë e Jugut. Dihet, tenistët që shërbejnë fort nuk kanë qenë kurrë problem për mjeshtrin zviceran që kryesoi 2-0 pas vetëm një ore lojë, teksa e theu shtatlartin australian nga një herë për cdo set. Në setin e tretë 33-vjecari nga Bazeli nuk shfrytëzoi sic duhet dy mundësitë që pati në dispozicion për të thyer 27-vjecarin nga Neë South Wales në shërbim, përkundrazi gaboi vetë në servis në tie break, ku falë një dopio faulli i dhuroi praktikisht setin numrit 69 të botës. Në fushën qendrore në setin tjetër Roger u shkëput që në fillim 3-0 dhe mbylli gjithcka me rezultatin e përgjithshëm 6-4, 6-4, 6-7, 6-2 në një takim që zgjati 2orë e 16′ dhe ku Federer nuk u përball me asnjë mundësi të rivalit të tij në shërbimet e veta. Kurioz është fakti që veterani helvet nuk eliminohet nga një tenist australian në turnetë Grand Slam prej plot 16 vjetësh, kur u mund në Roland Garros nga Pat Rafter. Në turin e katërt Federer përsëri nuk pritet të ketë shumë probleme teksa do të ndeshet me spanjollin Roberto Bautista – Agut.

Atë që nuk e bëri dot Rafael Nadal e arriti tenisti serb Viktor Troicki. Këtë herë gjermani Dustin Brown u duk i pafuqishëm për të vënë në vështirësi numrin 24 të botës, që neutralizoi me sukses taktikën “serve and volley” të tenistit me origjinë xhamajkane. Numri 102 i renditjes ATP u thye katër herë në shërbim dhe arriti të fitojë vetëm setin e tretë gjithsesi ishte Viktor Troicki ai që fitoi krejt takimin me shifrat 6-4, 7-6, 4-6, 6-3 në 2 orë e 19′. Tenisti serb po shfaq një formë shumë të mirë në fushat me bar dhe vlen të kujtohet finalja në Stuttgart si dhe gjysmëfinalja në Queen’s, sidoqoftë në raundin e ardhshëm Troickin e pret një sfidë tepër e vështirë ndaj 20-vjecarit me origjinë greke Nick Kyrgios. Përfundoi më në fund edhe takimi Cilic – Isner dhe praktikisht të dy tenistët zbritën në fushë për të luajtur vetëm dy game gjithsej. Të premten në mbrëmje takimi u ndërpre në setin final në rezultatin 10-10, megjithatë në radhën e tij të shërbimit gjiganti amerikan hasi vështirësi në servis dhe madje John Isner i lëshoi rrugë kundërshtarit të tij me një dopio faull, në një ndeshje që zgjati gjithsej plot 4 orë e 31′, ndërkaq në turin e katërt takimi për të pritet të jetë thjesht një formalitet teksa fituesi i fundit në US Open do të masë forcat me tenistin nga Shtetet e Bashkuara Denis Kudla.

Te femrat surpriza më e madhe u shkaktua pikërisht në Center Court ku kampionia në fuqi u eliminua një vit më pas që në raundin e tretë nga Jelena Jankovic. Pasi fitoi setin hapës Petra Kvitova kryesonte 4-2 në setin pasardhës, megjithatë prej aty tenistja serbe fitoi pesë nga gjashtë game-t e mbetur duke shtyrë gjithcka për në setin final, ku Jankovic priti momentin e saj për të thyer përfundimisht në shërbim në game-n e 10 numrin 2 të botës dhe njëherësh 2 herë kampionen në Wimbledon. Finalistja e vitit 2012 Agnieszka Radwanska fitoi bindshëm 6-1, 6-4 me australianen Casey Dellacqua ndërsa amerikania Madison Keys mundi 6-4, 6-4 gjermanen Tatjana Maria. Ish numri 1 i botës Caroline Wozniacki humbi vetëm katër game gjithsej ndaj italianes camila Giorgi ndërsa tenistja gjermane Angelique Kerber e cila shpërdoroi plot 9 mundësi për të fituar setin hapës u mund nga tenistja spanjolle Garbine Muguruza 7-6, 1-6, 6-2 në një ndeshje që zgjati dicka më tepër se dy orë e gjysmë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat