Hallaçi: Nuk mbajmë asnjë lojtar peng, Zeqiri është nën kontratë

Sporti

Hallaçi: Nuk mbajmë asnjë lojtar peng, Zeqiri është nën kontratë

Më: 4 korrik 2015 Në ora: 23:09

Fitorja 2-0 në ndeshjen e parë ndaj bjellorusëve të Torpedo Zhodino mban të karikuar Kukësin që ka mundësi reale për të siguruar biletën e turit të dytë paraeliminator të Europa League. Skuadra e drejtuar nga braziliani Marcelo Troisi nisi javën stërvitore në kuadër të ndeshjes së kthimit. Në kompleksin sportiv në Pezë Helmës, grupi zbriti i plotë në stërvitje. Pero Pejic dukshëm i lumtur për golin e shënuar në sfidën e parë dukej i paduruar për të nisur punën me skuadrën, e cila fillimisht u grumbullua përreth trajnerit Troisi, i cili mbajti një fjalë të shkurtër dhe më pas caktoi detyrat për çdo lojtar. Fillimisht lojtarët u përqëndruan te ecja sportive përreth fushës dhe më pas, skuadra u përqëndrua në veprimet teknike duke rritur gradualisht ritmin. Ajo që ra sërish në sy ishte mungesa e mesfushorit Hair Zeqiri, i cili, sipas mediave të shkruara, kërkon të nisë një aventurë të re në Kroaci me RNK Split, por edhe mungesat e Ylli Hoxhës e Kushtrim Lushtakut, tashmë të larguar përfundimisht nga Kukësi. Në intervistën ekskluzive për Sport News, shefi i klubit, Jonuz Hallaçi sqaron situatën e tre lojtarëve.
“Kukësi është një klub korrekt në marrëdhëniet kontraktuale me lojtarët pasi ka zbatuar me përpikmëri pikat e nënshkruara nga të dy palët. Lushtaku është krejtësisht i lirë dhe pritet të vijë nga Gjermania për të marrë lejekalimin pasi ka bërë kërkesë që të largohet, Peqini është i lirë, Hoxha po ashtu ndërsa për Zeqirin duhet të bihet dakort me klubin ku do të shkojë sepse çdo lojtar ka një kontratë me klubin dhe nuk mund të anashkalohet. Në media po thuhet që lojtarët janë peng i Kukësit por ka pak njohuri për çështjet kontraktuale të lojtarëve”.

Zyrtari i nënkampionëve nuk e zbulon emrin e klubit që ka shfaqur interes për Zeqirin, por rithekson se bisedimet për transferimin e tij duhet të kalojnë përmes kanaleve zyrtare mes dy klubeve.

“Kemi njohuri nga mediat se kush e kërkon Zeqirin por duhet të vijë një kërkesë zyrtare nga klubi që e kërkon në mënyrë që të arrihet një marrëveshje dhe problemi të zgjidhet. Duhet të zbatohen rregullat e përcaktuara nga FSHF dhe UEFA për transferimet e lojtarëve. Nuk është synimi i Kukësit që të bllokojë lojtarët në karrierën e tyre”.

Aktualisht, me Kukësin janë bashkuar 7 brazilianë gjatë fazës përgatitore në Austri, por Hallaçi nuk jep garanci për vazhdimësinë e tyre në radhët e klubit, kjo për faktin se numri i të huajve që mund të aktivizohen në Kategorinë Superiore është vetëm 4.

“Brazilianët u testuan në Austri. Të gjithë lanë përshtypje të mirë në ndeshjen e Europa League dhe më pas do të shikohet edhe ecuria e mëtejshme. Shumica e tyre do të jenë pjesë e Kukësit por duhet pasur parasysh rregullorja nuk lejon shumë lojtarë me pasaportë të huaj. Ndoshta një ndryshim i rregullores do të na favorizonte”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat