Kënaqësitë e Streetballit këtë vikend në Prishtinë, Mitrovicë...

Sporti

Kënaqësitë e Streetballit këtë vikend në Prishtinë, Mitrovicë...

Më: 2 korrik 2015 Në ora: 19:10

Karvani i “Limak Streetball Kosova 2015”, këtë vikend do të kalojë në tri qytete të Kosovës, për të përcaktuar tre superfinalistë të tjerë, në të dy kategoritë, Profi dhe amator.

Kampionati i 16-të Kosovës në Streetball, nisi javën e kaluar me turneun e parë të zhvilluar në Prizren, ndërsa këtë fundjavë dhe të hënën, rrugëtimi do të vazhdojë në Prishtinë, Mitrovicë dhe Gjilan.

Të shtunën në Prishtinë, turneu i Streetballit zhvillohet në Amfiteatrin e Sheshit Zahir Pajaziti, me skuadrat që do të kenë mundësinë të paraqiten për pjesëmarrje në vendin e ngjarjes, duke filluar nga ora 9:00 me regjistrimet, që do të pranohen deri në orën 9:45, kur edhe do të mbyllet regjistrimi. Pastaj do të hedhet shorti, caktohen çiftet dhe më pas, saktësisht në ora 10:00, do të nisin garat në grupe, në të dy kategoritë, Profi dhe amator.

Turneu kualifikues i “Limak Streetball Kosova 2015” vazhdon të dielën (5 korrik), ku për ndalesë ka Mitrovicën.

Duke filluar nga ora 9:00, në qendrën sportive “Fatime Xhaka” në Mitrovicë, do të fillojnë regjistrimet dhe do të zgjasin deri në ora 9:45, kur edhe hidhet shorti. Sikur edhe në qytete tjera, garat edhe në Mitrovicë nisin nga ora 10:00.

Edhe sivjet, në Mitrovicë, në fushën më të bukur dhe më atraktive për zhvillimin e Streetballit, qendrën sportive me terrene të hapura, Fatime Xhaka, pritet pjesëmarrje e shumë lojtarëve atraktiv dhe jashtëzakonisht kualitativ.

Të hënën, kënaqësitë streetballistike, do t’i shijojë qyteti i Gjilanit, që është ndalesa e katërt, që kur nisi kampionati i Streetballit në Prizren javën e shkuar.

Agjenda e regjistrimit dhe ecurisë së ndeshjeve, edhe në Gjilan nuk dallon nga qytetet e tjera.

Të gjithë të interesuarit për pjesëmarrje në turneun kualifikues të Gjilanit, duhet të paraqiten para Teatrit të Qytetit, të hënën (6 qershor) aty ku tradiocionalisht mbahen garat e Streetballit.

Nga ora 9:00 fillon regjistrimi i ekipeve, deri më 9:45, dhe pas hedhjes së shortit, nisin garat në ora 10:00, për të përcaktuar dy superfinalistët e tjerë nga ky qytet.

Si zakonisht, në këtë turne kualifikues pritet të marrin pjesë veteranët e streetballit gjilanas, ish-basketbollistët, basketbollistët aktiv dhe ata që për rekreacion luajnë “basket 3 kundër 3”.

Ndërkohë, organizatorët e “Limak Streetball Kosova 2015”, së fundi kanë vendosur edhe për datën e mbajtjes së garave në Pejë, të parapara për t’u zhvilluar vikendin e kaluar, por që u shtynë, për shkak të motit.

Turneu kualifkues i Pejës, do të zhvillohet të premten më 10 qershor, aty ku streetballistët e shumtë pejanë, do të kenë mundësinë të masin forcat dhe të tregojnë talentin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat