Kuka: Forma e përkrahjes së sportistëve është me modelin e indianit Rao!

Sporti

Kuka: Forma e përkrahjes së sportistëve është me modelin e indianit Rao!

Nga: Kemajl Goca Më: 2 korrik 2015 Në ora: 10:45

Përzgjedhësi i kombëtares së Kosovës në xhudo, Driton Kuka, me këmbëngulje kërkon që një kohë të gjatë kategorizimin e sporteve. Ai shpreson se kjo do të ndodhë shumë shpejtë dhe do të jetë në të mirë të sportit. Kuka, ndryshe është trajner i kampiones së dyfishtë të botës, Majlinda Kelmendi dhe i Nora Gjakovës, fitues e medaljes së bronztë në Lojërat Evropiane – ‘Baku 2015’.

“Pas Lojërave Evropiane në Baku gjendja tek sportistët e Kosovës ka pësuar ndryshime për të mirë dhe me çdo ligj në botë, por ende i munguar në Kosovë. Pas kësaj gare do të kishim një kategorizim të ri dhe atë si vijon, kategoria 1 Elitare: 1. Majlinda Kelmendi, kampione botërore 2013, 2014 ( Majlindës i është rregulluar përkrahja me Memorandum nga ministri Krasniqi dhe po vazhdohet nga ministri Shala).

2. Nora Gjakova, medalja e bronztë në Lojëra Evropiane - Kampionati Evropian 2015. Kategoria e 2-të rangu ndërkombëtar i lartë: 1. Alvin Karaqi, vendi i 5-të evropian në Turqi, vendi i 4-të në Lojërat Evropiane. 2. Armend Xhoxhaj, vendi 5-8 në Lojëra Evropiane – ‘Baku 2015’.

3. Distria Krasniqi, Grand Slam - medalje e bronztë 2015 (Grand Slam është niveli më i lartë i Kupave Botërore në xhudo ). Po e shkruaj këtë kategorizim për të informuar opinionin se sipas kritereve në çdo vend në botë këta sportistë do të kishin përkrahje të drejtpërdrejtë nga shteti në formë të bursave dhe atë për garuesit elitar, vlera rreth dy deri ne tri rroga mesatare në afat prej 4 vjet prej momentit kur arrihet rezultati, kurse për garuesit e nivelit 2 ndërkombëtar bursa në afat prej 2 vjet vlera 1-2 e rrogës mesatare e shtetit, njëjtë ju takon edhe trajnerëve përkatës të sportistëve të ranguar në këto dy kategori!

Ish ministri Krasniqi kishte bërë zgjedhje për Majlindën që ishte e momentit por çka e pret Norën dhe sportistët tjerë sa i përket kategorizimit të tyre dhe përkrahjes që do të duhej ta kenë. Këtë javë do të kemi takim me ministrin Shala dhe do e ngrisim këtë çështje por patjetër edhe Kategorizimin e sporteve dhe decentralizimin e përkrahjes direkt nëpër federata sepse forma e përkrahjes në Kosovë është me modelin e indianit Rao i ardhur me UNMIK me 1999 dhe kësi sistemi s’ka në asnjë shtet në Botë!

Po presim që kjo çështje siç na ka premtuar ministri Shala të rregullohet këtë vit dhe atë siç kemi biseduar qysh me 1 Korrik 2015. Presim me padurim që sportistët më të mirë të kuptojnë vlerën e tyre të vërtetë me kategorizim!”, shkruan Kuka.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat