Tronditëse, kamioni shkeli dy çiklistët e Kosovës

Sporti

Tronditëse, kamioni shkeli dy çiklistët e Kosovës

Nga: Kemajl Goca Më: 2 korrik 2015 Në ora: 10:25

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në magjistralen Prishtinë-Shkup. Dy çiklistë e Kastriotit nga Ferizaj, Blerton Nuha (14 vjet) dhe Benjamin Palloshi (18 vjet), janë shkelur nga kamioni. Blertoni është edhe pjesë e kombëtares së Kosovës dhe shpresë e madhe e çiklizmit. Çiklistët ishin duke u stërvitur kur janë aksidentuar. Avni Nuha, kryetar i Federatës së Çiklizmit të Kosovës, ndryshe është edhe prind i Blertonit, tregon për gazetën kombëtare “Bota sot” gjendjen e çiklistëve dhe si ka ardhur deri të aksidenti i rëndë.

“Në magjistralen Prishtinë-Shkup në fshatin Prelez (dje) ka ndodhur aksidenti i komunikacionit. Një kamion me targa të Beranes (Malit të Zi) ka goditur çiklistët e klubit Kastrioti. Benjamin Palloshin dhe Blerton Nuhën. Blertoni gjendet në spitalin e Prishtinës dhe në gjendje të rëndë, kurse Benjamini ka shpëtuar me lëndime të lehta. Çiklistët kanë qenë në stërvitje dhe me uniforma sportive”, tha Nuha.

Blertoni ka të thyer këmbën. “Blertoni ka të thyer këmbën dhe tri unaza kurrizore të lënduara rëndë. Shpresojmë që gjendja e tij të përmirësohet”, tha Nuha. Blertoni ka qenë edhe pjesë e përfaqësueses për kampin dhe Olimpiadën për të rinj që do të mbahet me 26 korrik në Gjeorgji. “Blertoni është shpresë e madhe e çiklizmit. Lutem që të tejkalojë këtë gjendje të rëndë”, theksoi Nuha. Çiklistët edhe më herët janë ankuar për kushtet e këqija që kanë për stërvitje, sepse duhet stërvitur në magjistrale ku nuk ka kushte dhe ka shumë makina që qarkullojnë, ku shumë herë rrezikohen gjatë ngasjes së biçikletave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat