Shkëndija si trembet skocezëve

Sporti

Shkëndija si trembet skocezëve

Më: 1 korrik 2015 Në ora: 15:49

Trajneri i Shkëndijës nga Tetova, Shpëtim Duro dhe futbollisti Ferhan Hasani, kanë folur para mediave në një takim për shtyp, ku zbuluan pritjet e tyre para takimit të parë të rundit të parë eliminator të Europa League ndërmjet Shkëndijës dhe Aberdinit nga Skocia. Me respekt për kundërshtarin e fortë nga Skocia, por me besim në forcat tona Shkëndija pret përballjen me Aberdeenin. Ballafaqimi zhvillohet të enjten në orën 21.05 në stadiumin e Vardarit në Shkup. “Si që dihet na pret takim i parë me Aberdinin. Sigurisht përballë kemi një skuadër me shumë vlera, përfaqësues i futbollit skocez.

Të vetëdijshëm se do të jetë e vështirë, kemi punuar për të kërkuar rezultat pozitiv. Të gjithë flasin se Aberdini luan mirë në ajër, por përveç kësaj unë ju bind se ata kanë kualitet të madh edhe në lojën në tokë me disa futbollistë që dinë të luajnë me topin. Ne kemi analizuar kundërshtarin, kemi parë ndeshjet e tyre kontrolluese, përfshi edhe të fundit dy-tre ditë më parë, kam grumbulluar informata edhe nga miq të mi që kam në Skoci dhe jemi të vetëdijshëm për atë që na pret. Duhet të jemi të kujdesshëm, të qetë dhe të durueshëm për të mbyllur maksimalisht të gjithë hapsirat dhe njëkohësisht për të provuar që me gjithë potencialin e padiskutueshëm që kemi në sulm të kërkojnë golin“, deklaroi Duro.

Me shefin e stafit teknik u ndërlidh edhe Ferhan Hasani që beson në forcën e ekipit dhe kërkon të mendohet vetëm pozitivisht në tentimin për të marrë rezultat të favorshëm. “Për mua rezultat pozitiv është mundësisht fitore pa gol të pranuar. Gjithsesi se nëse ndodh edhe të pranojmë gol nuk do të thotë se është mbyllur gjithçka pasi bëhet fjalë për 180-të minuta që do të vendosin fituesin e përgjithshëm. Prandaj nuk duhet të shpejtojmë, të jemi të qetë dhe të bindur në atë që bëjmë. Pres mbështetje të madhe nga publiku dhe të gjithë së bashku uroj t’ia arrijmë qëllimit”, tha Hasani.

I pyetur në lidhje me formacionin Duro tha se 90% e ka të qartë dhe disa dilema të vogla do t’i zgjidhë deri para ndeshjes. “Kam vendosur dhe mund të them se 90% të formacionit kam të qartë, duke lënë hapsirë për disa ndryshime të minimale. Dy prurjet e fundit Ibraimi dhe Hasani ekipit i janë bashkuar me vonesë dhe sigurisht kjo nuk është në favorin tonë. Buba vetem 3-4 seanca stërvitore dhe është një hendikep i vogël, por gjithsesi se ata do ta luajnë dhe besoj të japin më të mirën”, tha Duro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat