Zyrtare, Skënderbeu në vazon e parë të Champions

Sporti

Zyrtare, Skënderbeu në vazon e parë të Champions

Më: 30 maj 2015 Në ora: 20:23

Lajme të mira nga Bosnja për Skënderbeun. Tani është zyrtare: Kampionët e Shqipërisë do të jenë në vazon e parë të shortit që do të hidhet për të përcaktuar çiftet e turit të dytë paraeliminator të Champions League. Në Premier Liga të Bosnjes, në javën e fundit FK Sarajevo, skuadra që eliminoi Kukësi në raundin e dytë të Europa League dy vite më parë, fitoi titullin kampion. Ndjekësit e Zeljeznicar, që mund të kërcënonin vendin e Skënderbeut në vazon e parë nuk arritën ta fitonin titullin, dhe në këtë mënyrë skuadra korçare është e sigurt se do të jetë në grupin e skuadrave të forta në shortin që do të hidhet në 22 Qershor duke patur mundësinë që të peshkojnë një kundërshtar më të lehtë.

Aktualisht nga 34 skuadra që marrin pjesë në fazën e dytë paraeliminatore të Champions League, Skënderbeu renditet në vendin e 16-të, dhe me shumicën e kampionateve të mbyllura mund të parakalohet në renditje vetëm nga një nga skuadrat që do të fitojë kampionatin polak, Lech Poznan apo Legija e Varshavës, por pavarësisht kësaj, skuadra korcare do të renditet e 17-ta. Me 34 skuadrat pjesëmarrëse në turin e dytë paraeliminator të Champions që do të ndahen në dy vazo me nga 17 skuadra, Skënderbeu kap në këtë mënyrë vazon e parë. Në këtë mënyrë Skënderbeu eviton në short ekipe me emër e buxhet të rëndësishëm si Steaua e Bukureshtit, Celtic, Dinamo e Zagrebit, Bate Borisov apo Malmoe, Partizan i Beogradit apo Macabi Tel Aviv.

Skuadra e Mirel Josës ka shansin për t’u shortuar me ekipet e vazos së dytë. Në Champions asgjë nuk është e lehtë dhe edhe vazo e dytë ka kundërshtarë të fortë por gjithsesi nga të gjithë emrat që ndodhen aty, duke nisur nga skuadra si Sarajevo, Trencin, Zalgiris Vilnius e Lituanisë, Ventspils apo Vardar asnjë nuk duket e pakalueshme për ekipin korçar, të paktën në letër. Në këtë mënyrë kampionët e Shqipërisë gjenden para një shansi të artë, pasi kalimi i turit të dytë paraeliminator të Championsit do t’u garantonte edhe në rastin më të keq ecurinë deri në play -offin e Europa League në kompeticionet kontinentale, ç’ka përkthehet në përfitime të mëdha financiare për arkat e klubit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat