Besa arkëtoi tre pikë të mëdha në Prishtinë dhe që e mbajnë në hap për titullin e kampionit në Raiffeisen Superligën e Kosovës. Drejtuesit e këtij klubit janë të lumtur me fitoren me rezultat 4:2. Ata në një komunikatë të lëshuar në facebook, shkruajnë kësisoj:
“Të dashur dhe te respektuar dashamirë, tifozë, adhurues dhe ju qytetarë të qytetit tonë të bukur Peja, në KF Besa në emër të lojtarëve dhe komplet grupit te Besës po ju drejtohemi me këto rreshta: Pas fitores së merituar ndaj KF Prishtina dhe pas vazhdimit të shpresës për fitimin e titullit kampion, ne KF Besa të dielën në Pejë e presim liderin e tabelës, KF Feronikeli nga Drenasi. Me këtë rast pasi jemi në fund të kampionatit dhe afër mundësisë së stolisjes me titullin kampion, atëherëe presim nga ju përkrahje maksimale dhe të jeni prezent në ‘Shahin Haxhiislami’ në numrin rekord sepse Besa ka nevojë për ty.
T'ju tregojmë kush kemi qenë,kush jemi dhe kush kemi me qenë ne për futbollin e Kosovës.
Ne në këtë edicion kemi treguar futboll kualitativ duke zhvilluar ndeshje brilante dhe duke sfiduar dhe mundur të gjithë pretendentet tjerë për titullin kampion, tani i erdhi radha edhe KF Feronikelit t’i tregohet vendi dhe t’i mësohet se futbolli është sport fisnik dhe kërkon lojë futbolli brenda fushës së blertë dhe aty kush fiton atëherë e meriton epitetin e më të mirit.
Ne të respektuar dashamirë të KF Besa, ju garantojmë se do të angazhohemi deri në atomin e fundit për të arritur synimin e marrjes së titullit kampion, mirëpo vetëm në suaza të futbollit dhe bukurisë së lojës me top e jo në asnjë mënyrë tjetër”.