Flamurtari i 17-vjeçarëve, kampion i Shqipërisë

Sporti

Flamurtari i 17-vjeçarëve, kampion i Shqipërisë

Më: 27 maj 2015 Në ora: 23:44

Ka edhe një Flamurtar që fiton, që shpallet kampion dhe që nuk është i përzier në akuza të ndërsjellta e polemika. Bëhet fjalë për skuadrën e 17-vjeçarëve të klubit vlonjat që u shpall kampione e Shqipërisë në kategorinë e kësaj grupmoshe.

Në finale përballeshin jo më kot skuadrat e dy qyteteve që kanë prodhuar ndoshta më shumë futbollistë në gjithë Shqipërinë. Një Flamurtari-Vllaznia si përballje e titullit kampion për 17-vjeçarët është tregues se Vlora e Shkodra mbeten fidanishte futbolli, fati këtë herë i buzëqeshi skuadrës vlonjate. Edhe pse shkodranët e rinj luajtën mirë por nuk arritën të konkretizonin dot rastet e krijuara me Hebajn, Rahovën, Parrubin e Milotin, ndërsa Flamurtari u tregua më cinik duke e fituar takimin me një gol të shënuar nga Sadushi në minutën e 36.

Ndeshja përfundoi 1-0 dhe skuadra e drejtuar nga trajneri Gentjan Mezani arriti t’i dhurojë të paktën një buzëqeshje futbollit vlonjat pas një sezoni katastrofik të vëllezërve më të mëdhenj, ndërsa për Vllazninë mbetet vlerësimi i një edicioni dinjitoz nga një skuadër që ashtu si Flamurtari ka shumë talente premtues për të ardhmen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat