Gashi nuk transferohet te Lazio

Sporti

Gashi nuk transferohet te Lazio

Më: 26 maj 2015 Në ora: 23:28

Shkëlzen Gashi nuk do të transferohet te Lazio në merkaton e verës. Kohët e fundit ishte folur shumë për një interesim të Drejtorit Sportiv të klubit bardhekaltër, Igli Tare për sulmuesin shqiptar të Baselit, madje mediat italiane pak ditë më parë e bënë fakt të kryer kalimin e 26-vjeçarit te Lazio, nëse skuadra e Piolit do të kualifikohej në Champions League, por përgënjeshtrimi zyrtar për një transferim të mundshëm të Gashit te klubi kryeqytetas vjen nga faqja e specializuar italiane “Calciomercato.it”. Sajti në fjalë ka kontaktuar me një prej menaxherët “Soccer Mondial” agjensisë që mbron nga afër interesat e Gashit.

Milos Malenovic ka mohuar kategorikisht ekzistencën një tratative me klubin e drejtuar nga Claudio Lottito për një kalim të mundshëm të sulmuesit shqiptar në Romë. “Nuk kemi biseduar as me Drejtorin Sportiv Igli Tare dhe as me drejtues të tjerë të Lazios” – deklaroi menaxheri i Gashit për “Calciomercato.it”. Duke përjashtur ndonjë surprizë të çasteve të fundit me shumë mundësi Shkëlzeni do të qëndrojë te Baseli edhe për një tjetër sezon shtoi në përfundim Milos Malenovic. Gashi ka shkëlqyer këtë sezon me fanellën e Baselit teksa 1 javë përpara përfundimit të Superligës zvicerane kryeson listën e golashënuesve me 22 finalizime. Për 26-vjeçarin përveç Lazios ka shfaqur interes edhe skuadra gjermane e Schalke 04. Baseli për ta lënë të lirë Gashin kërkon minimalisht 8 milionë Euro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat