Roma fiton derbin me Lazion, verdhekuqtë të 2-tët

Sporti

Roma fiton derbin me Lazion, verdhekuqtë të 2-tët

Më: 25 maj 2015 Në ora: 22:29

Roma fiton 2-1 derbin e kryeqytetit dhe siguron vendin e dytë me një biletë direkte për në fazën e grupeve të UEFA Champions League duke i shkaktuar dhimbje koke Lazios që duhet ta luajë Europën që vlen në transfertën e Napolit javën e fundit. Pas një pjese të parë të përgjumur dy skuadrat u zgjuan në fraksionin e dytë ku verdhekuqtë treguan më shumë dëshirë duke përfituar edhe nga gabimet e kundërshtarëve në fazën mbrojtëse. Ishte Klose ai që gaboi një gol pothuajse të sigurt në minutën e 5, ndërsa verdhekuqtë mbyllën në mënyrë perfekte të gjitha hapësirat në mbrojtje duke mos lëshuar terren në asnjë centimetër të fushës. Edhe pjesa e dytë nisi me të njëjtin ritëm, Lazio kërkoi të impononte aksionet sulmuese në gjysmëfushën e kushërinjve por skuadra e Garcias bllokoi çdo tentativë për të kundërsulmuar më pas me dyshen Iturbe-Florenzi nga krahët. Ndeshja u zhbllokua në minutën e 73 me autor Iturben që dogji në sprint Bastën për ta shtyrë topin në rrjetë.

Reagimi i bardhkaltërve erdhi 8 minuta më vonë. Penelata e Felipe Anderson shkoi në kokën e Kloses së dhuroi një asist për Djordjevic.
Ndeshja u bë edhe më e çmendur 4 minuta më pas kur Yanga Mbiwa goditi në mënyrë kirurgjikale me kokë duke vulosur fatin e derbit të Romës me verdhekuqtë të sigurt drejt Champions League, ndërsa Lazio ka në dispozicion dy rezultate nga 3 për transfertën e “San Paolos” gjatë fundjavës.


Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat