Rosberg shkëlqeu në Monaco

Sporti

Rosberg shkëlqeu në Monaco

Më: 24 maj 2015 Në ora: 16:20

Piloti i Mercedesit. Nico Rosberg, tregoi paraqitje fenomenale dhe triumfoi për Çmimin e Madh të Monacos në Formula 1. Në fakt, ishte një garë tejet interesante deri në çastet e fundit sidomos mes dy pilotëve të Mercedesit, Nico Rosberg dhe Lewis Hamiltonit. Rosberg u tregua më i shkathët dhe ia vodhi fitoren nga duart Hamiltonit, kampionit në fuqi të botës. Rosberg arriti i pari në shteg me kohë të kaluar për 1:49:18.420 orë.

Ngasësi britanik, Lewis Hamilton, mbeti pa fitore, ani se e dominoi garën gati deri në fund, por një strategji e keqe e Mercedesit bëri që ai ta humb atë. Gjithçka ndodhi në xhiron e 64-t pas incidentit Max Verstappen- Grosjean. Makina e sigurisë futet në pistë ndërkohë që Hamilton, i cili kryesonte garën deri në ato momente dhe nuk pati asnjë problem me makinën thirret nga drejtuesit e skuadrës në “pit stop” për të ndërruar gomat. Por vonesa në bokse i kushtoi britanikut, i cili nuk arriti dot më pozicionin e mëparshëm duke mbetur pas Rosberg dhe Vettel dhe duke e mbyllur garën në vendin e tretë.

Për Nico Rosberg kjo është fitorja e tretë radhazi në pistën e Monacos dhe futet në listën e pesë pilotëve që e kanë fituar më shumë këtë garë. Me triumfin në principatë, Nico Rosberg e çon në 10 diferencën me kryesuesin Lewis Hamilton, i cili pavarësisht se është në një skuadër me të, ka treguar se është një nga rivalët e tij më të fortë këtë sezon. Në renditjen e konstruktorëve vazhdon dominimi i “Mercedes”, skuadër e cila ngjitet në kuotën e 242 pikëve, 84 pikë më shumë se Ferrari i vendit të dytë.

Ndërkaq, te pilotët kryeson Hamilton me 126 pikë, i ndjekur nga Rosberg 116, pastaj Sebastian Vettel (Ferrari) 98, Kimi Raikkonen (Ferrari) 60, Valtteri Bottas (Williams) 42, Felipe Massa (Williams) me 39 pikë etj.

Rezultatet
1. Nico Rosberg (Mercedes) 1:49:18.420
2. Sebastian Vettel (Ferrari) 4.486
3. Lewis Hamilton(Mercedes) 6.053
4. Daniil Kvyat (Red Bull) 11.965
5. Daniel Ricciardo (Red Bull) 13.608
6. Kimi Räikkönen (Ferrari) 14.345
7. Sergio Perez (Force India) 15.013
8. Jenson Button (Mclaren) 16.063
9. Felipe Nasr (Sauber) 23.626
10. Carlos Sainz (Toro Rosso) 25.056

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat