“Doyen Sports”, fenomeni që po modifikon ADN-në e futbollit

Sporti

“Doyen Sports”, fenomeni që po modifikon ADN-në e futbollit

Më: 23 maj 2015 Në ora: 16:22

Doyen Sports Investments. Ky është emri i një kompanie që gjatë viteve të fundit ka nisur të dëgjohet përherë e më shpesh në rrethet e ngushta të futbollit aq sa tashmë në vitin 2015 ky emër nuk ua vret më veshin klubeve të mëdha dhe agjentëve të futbollistëve. Doyen Sports është kthyer në një trend, në një fenomen por edhe në një institucion që me kalimin e viteve është bërë i besueshëm dhe është kthyer në simbol të futbollit modern që luhet në zyrat ku arkëtohen kontratat miliona dollarëshe të futbollistëve. Por çfarë është në të vërtetë Doyen Sports? Sipas “Corriere Dello Sport” kjo kompani është partneri ideal që u premton klubeve të mëdha futbollistët më të mirë të planetit. Grupi e ka të lidhur aktivitetin me disa klube të mëdha si Atletico Madrid, Porto, Benfica, Monaco, Santos apo Sevilla dhe mes kartonëve që zotëron janë edhe ata të Radamel Falcaos apo Geoffrey Kondogbia.

Doyen Sports është ajo që duhet pala e tretë e partneritetit, një fond investimesh që e shikon futbollin si një minierë ari. Ka zgjedhur Spanjën si portë hyrëse në futbollin e rëndësishëm dhe brenda pak kohësh e ka shtrirë aktivitetin në shumë vende të tjera mes të cilave Portugalia, Turqia dhe Brazili. Brenda 3 viteve është transformuar në aktorin kryesor të ekonomisë së futbollit botëror pasi fonde si Doyen fitojnë me një skemë shumë të thjeshtë; Ata ju propozojnë klubeve blerjen e lojtarëve që vetë shoqëritë nuk janë në gjendje t’i mbajnë duke marrë në këmbim një përqindje rreth shitjes së mundshme të tyre në të ardhmen. Por bashkëpunimi ekonomik mund të bëhet edhe më i rëndësishëm pasi fondi i investimit transformohet në një institucion financiar privat që i huazon para klubeve me një përqindje shumë të lartë.

Objektivat variojnë që nga blerja e lojtarëve në merkato dhe deri tek rifinancimi i borxheve dhe në këtë mënyrë, fondi mund të përbëjë një rrezik për futbollin pasi të tilla shoqëri arrijnë madje të kontrollojnë edhe klubin vetë. “Corriere” shkon edhe më tej duke theksuar se “Doyen Sports” është një kompani që tregon qartë modifikimet gjenetike që janë bërë gjatë dekadës së fundit në botën e futbollit. Në këtë mënyrë, autonomia e klubeve në politikbërje kufizohet ndjeshëm dhe si pasojë edhe autonomia e tyre finenciare. Nga ana tjetër, numri 1 i Doyen Sports, Neil Lucas mohon çdo formë kontrolli direkt ndaj lojtarëve edhe pse në plan të parë të faqes zyrtare ka një seksion të veçantë të quajtur “Përfaqësues të lojtarëve”. Lucas mohon gjithashtu lidhjen e grupit me agjentët më të fuqishëm të planetit si Jorge Mendes apo Quique Pina. Gjithsesi, pavarësisht përgënjestrimit që Lucas bën tashmë është fakt që Doyen Sports ka marrë shumë fije në dorë dhe po drejton një pjesë të mirë të botës së padukshme dhe të dukshme të futbollit të milionave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat